Rajoni

“Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është prioritet gjeostrategjik’. Parlamenti Europian shprehet i vendosur!

“Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është prioritet  gjeostrategjik tani më shumë se kurrë, dhe nëse BE-ja nuk vepron në përputhje me këtë, aktorë të tretë – si Rusia, Kina dhe Turqia – do të shfrytëzojnë mundësinë për të plotësuar vakumin e për të rritur ndikimin e tyre në rajon: Ky ishte qëndrimi i shumicës së deputetëve të Parlamentit Europian gjatë debatit për marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor, në vazhdën e paraqitjes së paketës së re të zgjerimit.

Ligjvënësit europianë ishin në masë të madhe të një mendjeje se blloku duhet të shtojë përpjekjet për të përmbushur premtimet ndaj vendeve të rajonit, në mënyrë që t`u tregojë se e ardhmja e tyre europiane është ende në horizont. Në sallë, pati në përgjithësi një perceptim pozitiv për momentin e ri të politikës së zgjerimit, i cili, sic u tha, do t’i lejojë BE-së të rivendosë besueshmërinë e saj mes partnerëve të Ballkanit Perëndimor, besueshmëri kjo që nisi të dobësohej si rezultat i një procesi të zvarritur dhe jokonsistent pranimi.

Vendet e rajonit megjithatë, do të duhet të vazhdojnë të demonstrojnë përkushtimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit duke zbatuar reforma dhe duke u përafruar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së bllokut. Kryetari i Komisionit për Politikën e jashtme, David McAllister nga PPE, theksoi ndikimin që agresioni rus ndaj Ukrainës pati në rishikimin e politikës së saj të zgjerimit dhe “nevojës për ta avancuar këtë politikë si një instrument të vetëm më efikas për të siguruar paqen, prosperitetin dhe vlerat themelore europiane në kontinent.

Ai vuri në dukje edhe disa konkluzione të tjera, ndër të cilat domosdoshmëria për një mbështetje të fortë të perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor dhe nevojën për të gjykuar çdo vend sipas meritave të veta.