Aktualitet

Arrestimi i Alda Klosit, Prokuroria Tiranë kërkon “Arrest me burg”!

Prokurorja e çështjes kërkoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Alda Klosin, ish-drejtoreshën e Ministrisë së Financave në kohën kur ky dikaster drejtohej nga Arben Ahmetaj. Seanca gjyqësore për zyrtaren mund të caktohet nesër. 41-vjeçarja dyshohet për pastrim parash, deklarim të rremë para policisë dhe fshehje pasurie.

Klosi nuk e mbajti dot presionin e një ditë më parë përfundoi në spital për shkak të problemeve shëndetësore. Kur kishte pak orë që qëndronte në qeli, ajo pati tension të lartë dhe me urgjencë u dërgua në QSUT për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Me gjasa do të qëndrojë edhe në vijim nën monitorimin e bluzave të bardha e verifikimi i masës së sigurisë pritet t’i bëhet në spital.

Emri i zyrtares u bë gjerësisht i njohur në ditët e para të janarit për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash nga banesa dhe si autorë të dyshuar u arrestuan ish-pastruesja Rozeta Dobi e djali i saj Havier Dobi. E akuzuara për vjedhjen e 120 mijë eurove, pranoi të bashkëpunojë me policinë, duke i dorëzuar drejtësisë Alda Klosin.

Sipas ish-pastrueses Rozeta Dobi, 41-vjeçares i përkasin edhe mbi 400 mijë eurot e zbuluara nga policia në tubin e aspirimit në apartamentin e saj.  Në një dëshmi të gjatë 7 orëshe në Policinë e Tiranës, Rozeta tregoi se me dijeninë e Aldës inskenoi grabitjen në apartamentin te Rruga e Kosovarëve që ajo të fajësonte ish-bashkëshortin, i cili e kërcënonte.

Kam vendosur të bashkëpunoj me policinë. Nuk dua të mbrohem nga avokatët që më ka caktuar familja. Dua të më caktoni një avokat shteti. Kam filluar punë si pastruese në shtëpinë e Alda Klosit në vitin 2018. Shtëpinë në atë kohë e kishte te Mozaiku, aty ka pasur dhe një shtëpi tjetër. Në vitin 2018 kam konstatuar që në krevatin e saj të mbuluar me batanije kishte lekë dhe euro, shumë të mëdha.

I kam marrë dhe i kam sistemuar në sirtar dhe e kam telefonuar Aldën, i kam thënë që lekët i ke në sirtar. Alda Klosi kishte përveç kësaj një shtëpi në Kombinat, kishte porositur një shtëpi te Kodra e Diellit dhe kishte një shtëpi të ndërtuar në truallin e prindërve.

Shpesh, Alda lëvizte para’, unë nuk kam prekur gjë. Kur shkoi te apartamenti te “Rruga e Kosovarëve” që u nda nga bashkëshorti, ajo më kërkoi që t’i mbaja këto para’. Unë e kam marrë kasafortën, e kam çuar në shtëpinë time me makinën e djalit dhe i kam sistemuar disa nga lekët dhe bizhuteritë. Disa të tjera i kam vendosur te sirtari i dollapit tim për t’i sistemuar më vonë.

Makinat ia kam blerë unë djalit. Njëra ka kushtuar 3 milion lekë të vjetra. 25 700 euro të gjetura te komoja e krevatit, janë para’ të punës sime. Ndërkohë shtëpinë e bëra unë rrëmujë sepse Alda donte të fajësonte për paratë dhe bizhuteritë bashkëshortin, pasi ai e kërcënonte.