Ministria e Financave, publikoi kalendarin e ankandeve të titujve qeveritarë për muajin maj, duke ftuar qytetarët dhe investitorët të bëhen pjesë e tyre.
Përmes një njoftimi, ministri i Financave Petrit Malaj thekson se pjesëmarrja në ankandet e titujve qeveritarë përbën një mundësi të favorshme investimi, me norma interesi konkurruese dhe nivel të ulët risku.
Titujt qeveritarë mbeten ndër instrumentet më të sigurta financiare në treg, pasi janë të garantuara nga shteti, ndërsa interesi i publikut për këtë formë investimi vijon të jetë në rritje.
Kalendari i publikuar orienton investitorët mbi datat e zhvillimit të ankandeve gjatë muajit maj, duke u krijuar mundësi për planifikim dhe pjesëmarrje në kohë.
Sipas kalendarit sot është ankandi për obligacionet 20 vjeçare, emetim i ri. Në datar 12 dhe 26 maj zhvillohen ankandet për bonot e thesarit respektivisht me maturim 6 e 12 mujor. Ndërkaq, në datat 13, 19, 25 maj mbahen ankandet për obligacionet 2, 3 e 7 vjeçare.
Dikasteri i Financave iu bën thirrje qytetarëve e bizneseve të shfrytëzojnë këto instrumente financiare për të investuar kursimet e tyre në mënyrë të sigurt e të qëndrueshme.