Sport

Barcelona ofertë Levandovskit, Laporta: Presim përgjigje pozitive!

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta tha se skuadra katalanase ka bërë një ofertë për të marrë shërbimet e sulmuesit, Robert Levandovski.

Ai u shpreh se tanimë pret reagimin e skuadrës gjermane të Bajernit të Mynihut, duke shpresuar se përgjigja do të jetë pozitive.

Laporta falenderoi Levandovskin për gatishmërinë e tij për t’u transferuar në Barcelonë.

“Kemi bërë një ofertë për lojtarin, Bayern po merr kohë ta vlerësoj dhe presim një përgjigje në ditët në vazhdim. Shpresojmë të jetë një përgjigje pozitive. Unë falenderoj Lewandowskin për të gjithë atë çka po bën, pasi ai ka treguar hapur se dëshiron të bashkohet me ne”, u shpreh Laporta.

Sulmuesi 33-vjeçar ka edhe një vit kontratë me Bajernin, teksa gjermanët kanë theksuar se ai nuk është në shitje.

Më herët Andreas Christensen është prezantuar si lojtari më i ri i Barcelonës me danezin që u transferua me kosto zero nga Chelsea. Në ditën e prezantimit, përkrah mbrojtësit ishte edhe presidenti i blaugranave, Joan Laporta i cili ka zbuluar edhe një “sekret” të Christensen. Presidenti tregoi se kur Christensen ishte në moshën 8-vjeçare, ka shkruajtur një letër ku shprehte dëshirën për të luajtur me ta një ditë, një dëshirë e cila është realizuar tashmë.

“Kur Christensen ishte vetëm 8-vjeç ka shkruajtur një letër ku tregonte se dëshira e tij më e madhe ishte të luante për Barcelonën. Ne këtë e kemi të dokumentuar dhe është pikërisht ajo çfarë duam. Ne kërkojmë për lojtarë që kanë dëshirë të veshin fanellën e Barcelonës”, u shpreh Laporta.