Barcelona ka vendosur në shënjestër një nga sulmuesit më të mirë në botë.
Sipas Sky Sports News, klubi katalanas është i interesuar për transferimin e kapitenit të Anglisë, Harry Kane, i cili aktualisht aktivizohet te Bayern Munich.
Megjithatë, burimet bëjnë të ditur se 32-vjeçari dhe familja e tij janë shumë të lumtur në Mynih, ndërsa fokusi i tij i vetëm në këtë moment mbetet Kombëtarja e Anglisë në Kupën e Botës.
Drejtuesit e Barcelonës po shqyrtojnë mundësitë financiare për të bërë të realizueshme një marrëveshje me Bayernin. Kane ka vetëm një vit të mbetur në kontratën aktuale, por si klubi bavarez ashtu edhe vetë lojtari thuhet se janë të qetë për situatën kontraktuale.
Sezoni i sulmuesit anglez ka qenë i jashtëzakonshëm. Ai ka shënuar plot 70 gola për klubin dhe kombëtaren, ndërsa me Bayern Munich realizoi 61 gola dhe dhuroi shtatë asistime në 51 ndeshje gjatë sezonit 2025/26. Një statistikë e tillë nuk ishte arritur që nga Cristiano Ronaldo me Real Madridin në sezonin 2014/15.
Kane fitoi gjithashtu tre trofe me Bayernin: Superkupën e Gjermanisë, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, si edhe siguroi për herë të dytë në karrierë “Këpucën e Artë” evropiane si golashënuesi më i mirë në pesë kampionatet kryesore të kontinentit. Vetëm Lionel Messi me gjashtë dhe Cristiano Ronaldo me katër “Këpucë të Arta” kanë më shumë se anglezi.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Barcelona do të arrijë të bindë Bayernin për ta lënë të lirë sulmuesin anglez dhe nëse vetë Kane do të ishte i gatshëm të largohej nga Gjermania, ku ndihet i sistemuar së bashku me familjen e tij. Por interesi i një klubi si Barcelona pritet ta bëjë merkaton e verës edhe më interesante.