Rajoni

Beogradi: Petar Petkoviçit iu ndalua hyrja në Kosovë!

Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, iu ndalua hyrja në Kosovë dhe pjesëmarrja në shugurimin e patriarkut Porfirije në Patriarkanën e Pejës. Ndërsa Prishtina zyrtare ende nuk ka reaguar, kjo zyrë që është pjesë e kabinetit të kryeministres Brnabic njofton:

Bëhet fjalë për shkelje brutale të marrëveshjes, si të asaj për lirinë e lëvizjes, ashtu edhe të marrëveshjes për vizitat zyrtare, e cila përfshin procedura të thjeshtuara për vizitën në Kosovë e Metohi të kryenegociatorit në dialogun me Prishtinën. Po ashtu, kjo është hera e dhjetë që Petkoviçit i ndalohet vizita.

Në të njëjtin njoftim, po ashtu pretendohet se “vizita është paralajmëruar siç duhet, duke respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura”. Përveç pjesëmarrjes në ceremoninë e shugurimit të patriarkut u tha se ishte planifikuar edhe një vizitë në manifestimin “Ditët e Moravisë” që mbahet në fshatin Kufcë e Epërme të Komunës së Gjilanit.

Për shkeljen brutale të marrëveshjes, por edhe mohimin e lirive fetare do të informohet Brukseli zyrtar, si edhe të tjerë faktorë të komunitetit ndërkombëtar.

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije do të shugurohet në Manastirin e Patrikanës së Pejës në Kosovë të premten e kësaj jave, pra në datën 14 tetor. Kjo ceremoni zhvillohet një vit e tetë muaj pas zgjedhjes së tij në krye të Kishës Ortodokse Serbe.

Tradicionalisht, Patriarkana e Pejës është vendi ku marrin detyrën patriarkët serbë. Kisha Ortodokse Serbe njoftoi se atë ditë, kleriku i lartë do të vizitojë Kosovën dhe gjithashtu Patriarkanën e Pejës, ku është planifikuar të udhëheqë liturgjinë e shenjtë.

Menjëherë pas ngjitjes në fron në shkurt të vitit të kaluar, Patriarku Porfirije deklaroi se për të, si dhe për Kishën, prioritete të para do të jenë “serbët e vuajtur në Kosovë, të cilët jetojnë në unitet të pathyeshëm me serbët e tjerë kudo në botë”.