Aktualitet Politikë

Berisha për inceneratorët: Me paratë e shqiptarëve, Zoto pagoi hotelet luksoze të Ahmetajt!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar sërish çështjen e inceneratorëve duke bërë përgjegjës kryesor ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj. Sot në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se “me kartën e tij të kreditit, Klodian Zoto ka paguar të paktën pesë herë, udhëtimet në hotele me 5 yje të Ahmetajt në Europë”. Për kreun demokrat, nuk ka dyshime se “rolet kryesore në aferë i kanë Ahmetaj e Rama”.

Sipas Berishës, “Arben Ahmetaj është personi, pa firmën e të cilit, nuk mund të merrte vlerë asnjë dokument i kësaj afere”.

Punonjësit e kompanisë Rama-Agaçi-Ahmetaj-Veliaj, kanë financuar vizitat turistike, netët e luksit në hotelet me pesë yje të Arben Ahmetajt, asokohe ministër i Ekonomisë, sigurisht jo me para’ të veta, por të sipërmarrjes qeveritare të vjedhur nga taksapaguesit shqiptarë.

Në daljen për mediat, Berisha theksoi se “kjo vërteton plotësisht deklaratën e Partisë Demokratike dhe të opozitës, e cila ka denoncuar me kohë skemën e mega vjedhjes së 430 milion eurove”.

Arben Ahmetaj dhe shefi i tij, Edi Rama, kanë rolet më kryesore në këtë aferë. Edi Rama, në kundërshtim me ligjet e vendit, në kundërshtim me opinionin e Agjencisë së Prokurimeve Publike, ka firmosur kontratën me negociatat të mbyllura, në mënyrë antiligjore. Arben Ahmetaj, përmes njohjeve me të kërkuarit e drejtësisë, gjë që e ka mohuar vazhdimisht, ka luajtur rolin e ndërmjetësit sipas një skeme të qartë piramidale.

Më tej, kreu demokrat Berisha hodhi akuza se “Arben Ahmetaj dhe Edi Rama, firmosën vjedhjen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave”.

Arben Ahmetaj është personi, pa firmën e të cilit, nuk mund të merrte vlerë asnjë dokument i kësaj afere. Eshtë personi që së bashku me Edi Ramën, kanë firmosur vjedhjen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Këto para kanë ikur për blerjen e votave, për lobimet korruptive ndërkombëtare dhe për blerjen e drejtësisë.