“Përparimi i rrugës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian është çelësi për forcimin e kohezionit dhe qëndrueshmërisë në të gjithë kontinentin europian”. Kjo thuhet në deklaratën e përbashkët të Përfaqësuesit të Lartë të Unionit, Josep Borrell dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Në këtë moment kritik të historisë europiane, i shënuar nga agresioni i pajustifikueshëm i kryer nga Rusia kundër Ukrainës, përparimi i rrugës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian është çelësi për forcimin e kohezionit e qëndrueshmërisë së të gjithë kontinentit europian.
Sipas deklaratës, që të dyja vendet, pra Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë gati të ndërmarrin hapin tjetër drejt anëtarësimit në Bllok. Ndër të tjera, aty nënvizohet se “Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpresin një propozim kompromisi që merr parasysh interesat e shqetësimet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, bazuar në respektin, besimin dhe mirëkuptimin reciprok”.
Vendimi sovran i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut do të jetë i rëndësishëm për të ecur përpara. Kjo frymë e kompromisit konstruktiv mbi të cilin është ndërtuar integrimi europian duhet të vazhdojë të frymëzojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces historik.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara thonë janë të përkushtuar për bashkëpunim më të ngushtë në Ballkanin Perëndimor.
Sigurimi i stabilitetit e prosperitetit, si dhe realizimi i së ardhmes së tyre europiane dhe euroatlantike mbetet qëllimi ynë i përbashkët.
Dy ditë më parë, përmes një letre, presidenti i Francës, Emmanuel Macron iu drejtua Parlamentit dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e propozimit francez në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë e që sipas Macronit, “i hap rrugën integrimit europian”.
Një mundësi historike po hapet, zgjedhja është e juaja.
Macron nuk pretendon se propozimi francez është i përsosur, por thotë se “e fut vendin në Bashkimin Europian”.
Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, propozimi e konsideron si themelin e vlerave europiane, ndaj duhet rishikim i Kushtetutës për integrimin e komuniteteve të reja në të. Tashmë, vendi juaj është një shembull i bashkëjetesës në Europë. Tani ju takon juve të deklaroheni.
Fuqia për të ndryshuar rrjedhën e historisë është tani në duart tuaja. Nuk do t’ju them se kjo marrëveshje është e përsosur, por do të pastrojë rrugën tuaj europiane. Si çdo marrëveshje, edhe kjo bazohet në kompromise dhe ekuilibër. Kjo marrëveshje nuk e vë në dyshim ekzistencën zyrtare të gjuhës maqedonase, e cila është pjesë përbërëse e identitetit tuaj.