Rajoni

Bullgaria mban zgjedhjet e katërta në 18 muaj!

Në Bullgari, qytetarët po votojnë në zgjedhjet e përgjithshme, të katërtat në 18 muajt e fundit. Ato mbahen mes pritshmërive se do të prodhojnë një Parlament të fragmentuar e bisedimeve të vështira për të formuar një koalicion qeverisës. Me një popullsi prej afro 7 milion banorësh, Bullgaria është në krizë politike që nga viti 2020, kur vendi u përball me protesta mbarëkombëtare kundër korrupsionit qeveritar. Pjesa më e madhe e zemërimit popullor lidhej me liderin shumëvjeçar Boyko Borisov dhe partinë e tij Qytetarët për Zhvillimin Europian të Bullgarisë (GERB).

Qeveria e fundit e drejtuar nga Kiril Petkov u rrëzua në qershor, vetëm gjashtë muaj pasi mori mandatin. Një prej partnerëve doli nga koalicioni qeverisës. Petkov, i cili është në krye të partisë pro-reformatore, Ne Vazhdojmë Ndryshimin (PP) është përballur me sfida në përmbushjen e zotimeve të tij për të çrrënjosur korrupsionin. Po ashtu ka mbështetur Ukrainën në luftën kundër Rusisë, vend që tradicionalisht ruan raporte të mira me Bullgarinë. Po ashtu, Petkov akuzoi Kremlinin se ndihmoi në orkestrimin e rrëzimit të qeverisë së tij, pasi Bullgaria refuzoi ta paguante me rubla, gazin rus.

Nga sondazhet e publikuara një ditë para zgjedhjeve, del se GERB-i ka mbështetjen e 25-26% të votuesve, ndërsa PP-ja e Petkovit, të 16.5% të zgjedhësve. Pritet që deri në tetë parti të kalojnë pragun prej 4% për të fituar një vend në parlamentin bullgar me 240 deputetë.

Sipas sondazheve, një prej këtyre partive, Rilindja, subjekt i ekstremit të djathtë, mund të fitojë rreth 11 deri në 13% të votave. Kjo forcë politike po merr avantazh nga vala e populizmit që ka mbërthyer Europën. Siç dihet, parti të ekstremit të djathtë shënuan fitore në Itali e Suedi, në mesin e frikës ekonomike dhe pasigurisë që fillimisht u nxit nga pandemia COVID-19 e më pas edhe nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.

Partia Rilindja ka premtuar se do ta largojë Bullgarinë nga Bashkimi Europian e NATO dhe se do të shtyjë përpara politika miqësore me Kremlinin. Shumë ekspertë shohin se retorika anti-Perëndim e Rilindjes është përdorur më shumë për fushatë, ndaj paralajmërojnë për kujdes lidhur me atë se çfarë po bën kjo parti për t’u afruar me Moskën. Qendra e votimit të hapura në 07:00 me orën lokale do të mbyllen në 20:00 të mbrëmjes.