Aktualitet Rajoni

Dakordësi në rajon për lëvizjen pa viza mes vendeve/Njohje reciproke e diplomave!

Në Ballkanin Perëndimor, 6 vende ranë dakord për udhëtimin pa viza mes tyre dhe njohjen reciproke të diplomave universitare e kualifikimeve profesionale. Kjo u bë e ditur nga kryediplomatja gjermane Annalena Baerbock, gjatë takimit të ministrave të Punëve të Jashtme, të shteteve të përfshira në Procesin e Berlinit.

Kjo do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre për të vazhduar studimet në Maqedoninë e Veriut e se një arkitekt nga Serbia mund të shkojë dhe të punojë në Mal të Zi. Fundja kjo është gjithçka me të cilën ka të bëjë tregu i brendshëm europian.

Përfitimin më të madh do ta kenë qytetarët nga Kosova e Bosnja, që nuk mund të udhëtojnë pa viza. Dokumenti përfundimtar nënshkruhet më 3 nëntor në Berlin, gjatë takimit të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor e të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit e Komisionit Europian.

Duke nënshkruar marrëveshjet në takimin e ardhshëm në nëntor, ju po bëni një hap të rëndësishëm përpara në procesin e anëtarësimit europian. Ju po e bëni jetën e qytetarëve tuaj më të lehtë dhe po ndihmoni kompanitë tuaja të nxisin tregtinë e rritjen ekonomike në të gjithë rajonin.

Udhëheqësit e Kosovës theksuan se procesi i Berlinit është nismë gjithëpërfshirëse ku të gjitha shtetet janë të barabarta e kundërshtojnë çdo nismë që sipas tyre mund të shfaqet si alternative ndaj këtij procesi, përfshirë Ballkanin e Hapur me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut.

Shtetet e Bashkuara e mbështesin Ballkanin e Hapur dhe i bënë thirrje Kosovës të bëhet pjesë, por i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka theksuar se “është nismë ekonomike që mund të ketë sukses vetëm nëse përfshin të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si të barabarta”.

Procesi i Berlinit, i ringjallur nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, u hodh në vitin 2014 nga Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të rajonit në BE. Durimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë në pritje të anëtarësimit po mbaron dhe kritikët e ritmit të ngadaltë të zgjerimit të bllokut thonë se kjo u lë hapësirë Rusisë e Kinës për të zgjeruar ndikimin e tyre në rajon.