Bota

E fundit: Boris Johnson jep dorëheqjen!

Prej pak minutash, Boris Johnson ka dalë para mediave për fjalimin e shumëpritur, atë të dorëheqjes të kërkuar me ngulm nga zëra në rritje në partinë e tij Konservatore dhe që pason largimet e shumë ministrave. Kryeministri në largim i Britanisë së Madhe u shpreh:

Tashmë është i qartë vullneti i deputetëve të Partisë Konservatore për një kryetar të ri e për rrjedhojë, një kryeministër të ri. Do të shërbej deri në zgjedhjen e një lideri. Në politikë, askush nuk është i pazëvendësueshëm. Sistemi ynë i shkëlqyer Darvinian do të prodhojë një udhëheqës të ri, të cilit do t’i jap të gjithë mbështetjen time.

Për Boris Johnson është qesharake dhe absurde ideja e ndryshimit të qeverisë e në këtë mënyrë hedh poshtë mundësinë e zgjedhjeve parlamentare, aq më shumë që sipas tij, “skena ekonomike paraqitet në vështirësi, brenda dhe jashtë vendit”. Ndërkohë, nuk e fshehu trishtimin për faktin që i duhet të heqë dorë nga ajo që e quajti “puna më e mirë në botë”.

Edhe pse për momentin gjërat duken të errta, e ardhmja jonë e përbashkët është e artë!

Në fjalimin e pas mesditës me orën lokale, Boris Johnson njoftoi edhe zyrtarisht dorëheqjen e paralajmëruar më herët gjatë ditës nga mediat britanike. Një zhvillim të cilit ai tentoi t’i rezistojë, por pa sukses. Tashmë, BoJo do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë deri në vjeshtë dhe këtë do ta bëjë me ministra të rinj. Shefi në largim i qeverisë së Londrës bëri një riformatim të qeverisë, pasi shumë emra u larguan duke u dorëhequr.

Sipas BBC-së, “fushata zgjedhore e konservatorëve britanikë për të zëvendësuar Johnson-in, në fakt ka nisur prej pak kohësh”. Figura që u larguan, kërkuan të evidentonin dallimet e thella me kryeministrin në ikje, sa i përket çështjeve jetike që prekin ekonominë britanike.

Pakënaqësitë në kabinetin e Johnson u shfaqën pas disa zbulimeve lidhur me sjellje të papërshtatshme seksuale të ligjvënësit konservator Chris Pincher, teksa u raportua se kreu i qeverisë ishte në dijeni të këtyre veprimeve.

Javën e kaluar, Pincher dha dorëheqje pasi dolën ankesa se ai kishte ngacmuar dy burra në një klub privat. Kjo nxiti një seri raportimesh për pretendime më të hershme ndaj Pincherit. Menjëherë pas zbulimit të këtij skandali nisën edhe dorëheqjet e para nga kabineti i Johnsonit. Më 6 qershor, arriti t’i mbijetojë një mocioni mosbesimi të ngritur nga Partia Konservatore, edhe pse 41 për qind e ligjvënësve votuan që të largohej nga detyra. Boris Johnson erdhi në pushtet më 2019-ën, pasi shënoi fitoren më të madhe që kishte përjetuar Partia Konservatore.