Sport

E thotë UEFA: “Leonardo Spinazzola, më i miri i takimit Turqi-Itali!”

UEFA përzgjedh mbrojtësin e Romës, Leonardo Spinazzola, si futbollistin më të mirë të ndeshjes debutuese të Euro 2020 ku mbrëmë Italia dhuroi spektakël në Olimpico të Romës duke mundur 3-0 Turqinë.

28-vjeçari ishte vendimtar me depërtimet e tij duke iu shkaktuar jo pak probleme turqve në krahun e majtë. Spinazzola asistoi te goli i dytë i realizuar nga Immobile në minutën e 66-të. Ky gol u pasua nga i Insigne-s në të ’79-ën dhe u parapri nga autogoli i Demiralit në minutën e 53-të.

Turqit e kaluan me shumë sportivitet humbjen e thellë. Trajneri Senol Gunes pranoi me ndershmëri se skuadra që drejton nuk ishte në lartësinë e ndeshjes hapëse të Euro 2020.

Nuk jam i kënaqur nga rezultati final! Nga skuadra prisja një garë më të mirë estetikisht! Italia ka një ekip të madh që na dominoi. Shumë herë humbëm zotërimin e topit. Pati shumë avantazhe dhe pas golit të parë u hutuam e humbëm edhe kontrollin e ndeshjes. Teknikisht mund të them vetëm se Italia ishte superiore!

Por Turqia zotohet të mos ndalet me kaq!

Europiani vazhdon dhe tani do të përpiqemi të përgjigjemi, të reagojmë e të përgatitemi për dy ndeshjet e radhës. Takimin me Italinë duhet ta harrojmë me shpejtësi e pas ca ditëve mund të vijë kthesa.

Gunes ka dhe diçka për të shtuar, gjithnjë lidhur me Italinë:

Nuk u treguam cinikë, goli i parë ndryshoi gjërat. Pas rrjetës së parë, kundërshtari shfrytëzoi shumë pjesën e zhbllokimit të ndeshjes. Shpresoj që mbrëmja e 11 qershorit të mos përsëritet! Për momentin është e vështirë të bësh analizë.