Celebrities Live From Tirana

Edison Hallaçi: “Bullizmi keqpërdoret njësoj si feminizmi”

Sot në emisionin “Live from Tirana” për të folur rreth bullizmit, një fenomen mjaft i përfolur kohët e fundit, ishte i ftuar në studio gazetari, Edison Hallaçi. Edisoni njihet në rrjetet sociale si djali me statuset kontraverse, dhe së fundmi ai ka kritikuar të gjithë ata që e përdorin rëndom fjalën bullizëm.

Por çfarë ka Edisoni për të thënë në lidhje me këtë, ai na tregon më shumë…

Unë kur shkruaj në rrjete sociale jam i lirshëm, ndonjëherë edhe e teproj. Ajo çfarë kam dashur të them është se është ekzagjeruar më këtë fjalë dhe kjo vjen si pasojë e mosdijes. Është e njejta gjë si me fjalën feminizëm. Një pjesë e madhe mendojnë se të jesh feminist është të jesh qejfli grash ndërkohë është e kundërta, pra të luftosh për të drejtat e grave.

Bullizmin nga tallja e ndan një vijë shumë e hollë. Kur jemi në një moshë të vogël të gjithë kemi përjetuar tallje me shokët e klasës. Ka disa lloje talljesh në vitet e para të shkollës që janë pozitive, të mësojnë që në të ardhmen ti do të kesh edhe njerëz që do të kritikojnë. Kur i thua fëmijës je veshur bukur apo keq nuk mendoj se kjo shkon deri në bullizëm. Bullizmi është ajo që ti do ndihesh superior ndaj një personi tjetër, pa thënë fjalë bullizuese thjesht që nuk e lejon tjetrin të flasë.

Të gjithëve u ka bërë përshtypje ky përdorimi i fjalës bullizëm gjithandej. Që të kalojë në bullizëm sjellja duhet të jetë e përsëritur duke shkuar më pas deri në kërcënim fizik. Të ofendosh është diçka tjetër, të bullizosh diçka tjetër. Radiot dhe televizionet duhet të kenë kujdes, pasi disa emisione ndiqen shumë nga shumë njerëz dhe nuk u lejohet të gabojnë në mënyrë që të mos na sjellin shembuj të gabuar.