Art & Kulturë Dilema Sociale

Ekskluzive/ Koloreto Cukali: Gjatë komunizmit në Shqipëri ka patur perversion, pedofili dhe bixhoz të fshehur

A kanë pasur shqiptarët vese që në komunizëm?! Në ditët e sotshme dëgjojmë shpesh shprehje të cilat lavdërojnë komunizmin për sjelljen dhe mënyrën strikte të jetesës, por sa e vërtetë është se kjo e shkuar ka qënë kaq shembullore?!

Ne kemi lexuar historinë, libra dhe informacione të ndryshme në internet, por ato gjerat e vogla të jetës së përditshme nuk i kemi menduar kurrë. E shkuara mbetet aty, me trillime apo dokumentare që shkruhen ashtu siç duhet për të prezantuar një popull të denjë dhe pa huqe, thjesht një popull me ‘sjellje shembullore’. Por janë të pakët ata njerëz që gërmojnë rreth kësaj jetese që ka mbetur në errësirë.

Mbi këtë mundohet të hedhë paksa dritë i ftuari i sotëm në Top Albania Radio, Koloreto Cukali. Në emisionin “Dilema Sociale”, Koloreto zbulon disa fakte shumë interesante, të pathëna që nuk janë dëgjuar më parë, madje është vështirë t’ju gjejmë edhe gjurmët.

Në një udhëtim të shkurtër në Spaç, Koloreto është munduar të gërmojë disa gjëra që nuk janë diskutuar ndonjëherë. Bëhet fjalë për veset gjatë komunizmit dhe kur t’i lexoni, thjesht do të mbeteni ‘gojë hapur’. Pra këto nuk u shfaqën tani dhe mbinë në tokë nga hiçi… diçka paska pasur…

Unë arrita të kap disa njerëz, u përpoqa të kap edhe një gjë që unë mendoj se është e pa kapur akoma. A ka pasur në atë kohë vese?! Dihej në atë kohë ose të paktën kështu mendonim, unë e kam të stampuar në kokë këtë gjë, që ne ishim një vend pa drogë, pa krim, pa prostitucion, pra kjo ishte Shqipëria. Në kokën tonë, ky ishte imazhi i Shqipërisë. Maksimumi i perversioneve mund të ishte ndonjë komshie që tradhëtonte burrin.

Por vonë kam kuptuar se devijime nga standardi kishte edhe shumë më të mëdhaja, që nga devijimet seksuale, kishte kriminalitet, kishte pornografi e prodhuar në vend, pra njerëz që bënin foto dhe në mënyrë artizanale i shisnin. Sa më shumë gërmoja aq më shumë shihja nga këto, kishte njerëz që luanin bixhoz me lekë në dorë në tavolinë. Momentin që ti mëson se ka pasur çifte që shkëmbenin partnerët në kohët e komunizmit edhe në Tiranë ka pasur… por më shumë në qyteza.

Duke e parë në këtë këndvështrim ne kemi dëgjuar shpesh që vendet e mbyllura dhe të izoluara, gjithmonë kanë pasur perversion, këto huqe shpërthejnë vetëm aty ku nuk mund të shihen dot, në skuta dhe larg syrit.

Unë kuptova , jo vetëm që kishte pasur pedofili brenda shkollave dhe shtëpive të kulturës, por sistemi kishte gjetur një marifet… që këta njerëz kur i kapte, nuk i trajtonte si ‘pedofil’ sepse Shqipëria Socialiste nuk mund të kishte pedofili, i merrte dhe i fuste si tradhëtarë të atdheut, pra gjasme sikur kanë folur kundër sistemit, kanë folur kundër partisë dhe ata e dinin se çfarë kishin bërë. Kanë hyrë në burg si pedofil dhe kanë dalë si të burgosur politikë, ka nga ata që edhe kanë bërë karrierë më mbrapa.