Bota

Elon Musk paralajmëron: “Njerëzit duhet të kenë më shumë fëmijë përndryshe…”

Së fundmi miliarderi Elon Musk ka thënë se njerëzit duhet të kenë më shumë fëmijë pasi sipas tij nuk ka “njerëz të mjaftueshëm” në Tokë. Në një intervistë virtuale me “Wall Street Journal”, Musk kundërshtoi pretendimet se kontrolli i popullsisë është i nevojshëm në të gjithë globin. Duke folur për inovacionin e tij të fundit, ‘Tesla Bot’, në Samitin e Këshillit të CEO të WSJ, Musk insistoi se njerëzit duhet të kenë më shumë fëmijë.

Në vitin 2017, një studim nga kërkuesit e Universitetit Lund në Suedi, zbuloi se një fëmijë i lindur në botën e zhvilluar lë një gjurmë karboni prej 58.6 tonë metrikë për çdo vit të jetës së tyre. Në atë kohë, autorët rekomanduan që një mënyrë se si njerëzit mund të reduktojnë emetimet e tyre të gazeve serrë është duke pasur më pak fëmijë.

Duke kundërshtuar pretendimet e ambientalistëve, Musk thotë se:

Unë mendoj se një nga rreziqet më të mëdha për qytetërimin është lindshmëria e ulët, shkalla e së cilës për më tepër, është në rënie. Nëse njerëzit nuk bëjnë më shumë fëmijë, qytetërimi do të shkërmoqet, mbajini mend fjalët e mia!

Rikujtojmë, se Musk së fundmi ka thënë se kompania e tij ‘Neuralink’ planifikon të vendosë çipa në trurin e njerëzve që nga viti i ardhshëm. Sipas mediave të huaja, këto çipa do të implantohen në trurin e njerëzve për të regjistruar dhe stimuluar njëkohësisht aktivitetin e trurit.

Musk synon që çipi në fjalë të ketë aplikime mjekësore, të tilla si trajtimi i lëndimeve serioze të shtyllës kurrizore dhe çrregullimeve neurologjike. Gjatë një interviste të transmetuar drejtpërdrejt në Samitin e Këshillit të CEO të ‘Wall Street Journal’ Musk u pyet se çfarë planifikonte të bënte Neuralink në 2022.

Ndërkohë, Musk u përgjigj:

Neuralink funksionon mirë te majmunët dhe ne në fakt po bëjmë shumë testime dhe po konfirmojmë se është shumë i sigurt dhe i besueshëm dhe pajisja Neuralink mund të hiqet në mënyrë të sigurt. Shpresojmë ta kemi këtë edhe tek njerëzit, të cilët do të jenë persona që kanë lëndime të rënda të shtyllës kurrizore si tetraplegjikë. Jemi në pritje të miratimit nga FDA.