Bota

Escobar në Beograd, pret vazhdim dinamik të dialogut Serbi-Kosovë!

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, të vazhdojë “në mënyrë dinamike e konstruktive”.

Kjo është e rëndësishme si për qytetarët, ashtu edhe për paqen, stabilitetin e përparimin e përgjithshëm në rajon.

Komentet i bëri në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç. Ndërkohë, Vuçiç u shpreh se pati “bisedime të rëndësishme” me diplomatin e lartë amerikan.

Në llogarinë e tij në Instagram, njofton se u bisedua “për të gjitha zhvillimet aktuale” dhe për çështjet e hapura” në dialogun mes Beogradit e Prishtinës. Po ashtu, këmbënguli në “zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, si dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Si shtet serioz, i besueshëm dhe i përgjegjshëm, Serbia vazhdon të luftojë për ruajtjen e popullit e të territorit të saj, duke bërë përpjekje maksimale për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për përparimin e gjithë rajonit.

Në kryeqytetin serb po qëndron një ditë pas vizitës në Kosovë e në agjendë ka takime edhe me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç e drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Dje në Prishtinë, ai takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.

Zyrtari i lartë i Uashingtonit u shpreh se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se nga kolegët europianë ka dëgjuar se bëhet fjalë për “çështje javësh e jo vitesh”.

Në një intervistë për televizionin kosovar, Kanal 10, Escobar u pyet mbi propozimin e Francës e Gjermanisë që thuhet se u është dorëzuar liderëve të Kosovës e Serbisë, për arritjen e marrëveshjes. Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë propozim e çdo gjë që shtetet europiane sugjerojnë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, duke porositur Prishtinën dhe Beogradin ta marrin seriozisht dokumentin.