Sport

Euro 2020, sot Çeki-Danimarkë e Ukrainë-Angli!

Euro 2020 vazhdon sot me dy ndeshjet e fundit të çerekfinaleve nga të cilat do të dalin skuadrat që kalojnë në gjysmëfinalen e 7 korrikut. Në orën 18:00 përballen Republika Çeke-Danimarkë e në 21:00, Ukrainë-Angli. Një ditë më parë, biletën për në gjysmëfinalen e 6 korrikut e siguruan Italia që në një superduel mundi Belgjikën e Lukakut me rezultatin 2-1, si dhe Spanja pasi fitoi me penallti ndaj Zvicrës.

Ashtu si me Francën, skuadra e Xherdan Shaqirit e çoi me penallti edhe përballjen me spanjollët por pa arritur sukses. Spanja vuajti sërish përballë një Zvicre në formë të shkëlqyer.

90 minutëshi u mbyll 1-1 e në kohën shtesë nuk pati surpriza por Zvicra dështoi në penallti. Spanjollët festuan rezultatin 4-2 e të martën në orën 21:00 presin Italinë në Wembley të Londrës.

“Të kaltrit” e Roberto Mancini-t vazhdojnë të fluturojnë e pasi ia dolën me Belgjikën, tani duhet të mendojnë për Spanjën që ta shohin veten në finalen e 11 korrikut.