Argjentina është finalistja e dytë e Kupës së Botës, pasi mposhti Anglinë me rezultatin 2-1 në një gjysmëfinale dramatike të zhvilluar në Atlanta. Kampionët në fuqi përmbysën gjithçka në minutat e fundit dhe tani do të duelojnë me Spanjën në finalen e madhe të Botërorit.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, edhe pse Argjentina ishte më kërkuese. Enzo Fernandez provoi nga distanca, ndërsa Anglia u kundërpërgjigj me disa tentativa, por portat mbetën të paprekura. Në fillimin e pjesës së dytë, ishte Anglia që goditi e para. Në minutën e 55-të, Morgan Rogers harkoi në zonë, ndërsa Anthony Gordon u shkëput nga mbrojtja argjentinase dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Pas golit të pësuar, Argjentina shtoi presionin dhe krijoi disa raste të pastra. Alexis Mac Allister goditi fillimisht shtyllën me kokë dhe më pas u ndal nga Jordan Pickford, ndërsa Nico Gonzalez gjithashtu iu afrua golit.
Barazimi erdhi në minutën e 85-të, kur Enzo Fernandez lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca që përfundoi në rrjetë, duke rikthyer shpresat e Argjentinës. Kur ndeshja po shkonte drejt kohës shtesë, Lionel Messi tregoi edhe një herë klasin e tij. Në minutën e 90+2, kapiteni argjentinas harkoi në mënyrë perfekte në zonë, ndërsa Lautaro Martinez goditi me kokë dhe mposhti Pickfordin për rezultatin përfundimtar 2-1.
Me këtë fitore dramatike, Argjentina siguron biletën për në finalen e Botërorit, ku e pret Spanja, e cila eliminoi Francën në gjysmëfinalen tjetër, ndërsa pritja e Anglisë vazhdon ende.
Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës premton të jetë një spektakël i vërtetë, me dy nga kombëtaret më në formë të turneut që do të luftojnë për trofeun më të rëndësishëm në futbollin botëror.