Sport

Euro 2020, sot spikat Angli-Gjermani!

Në Euro 2020 sot luhen dy ndeshje ku padyshim spikat ajo e orës 18:00: Angli-Gjermani ndërsa në 21:00 është radha e përballjes Suedi-Ukrainë.  Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Gjermanisë, theksoi se ky duel nuk vlen vetëm një biletë për në çerekfinale, por mund të konsiderohet edhe si finale e parakohshme.

Kjo ndeshje me të vërtetë po luhet shumë shpejt, ashtu si Belgjikë-Portugali, vlen më shumë se një çerekfinale. Por ndodhi e duhet të zbresim në fushë për të shkruar historinë. Do të jetë dhe një mundësi për t’iu dhuruar njerëzve një kujtim ndryshe në të ardhmen për këtë sfidë. Edhe pse shumë prej tifozëve tanë as nuk kishin lindur kur u ndeshëm herën e fundit në Europian.

Gjermania është e fortë, e thonë statistikat! Ka fituar katër Kupa Bote dhe në radhët e saj, 6 lojtarë kanë fituar Ligën e Kampioneve. Nuk do të ketë frikë nga stadiumi “Wembley” pasi është mësuar të luajë në nivele të larta e për këtë arsye duhet përgatitur sa më mirë ndeshja.

Një natë më parë ishte Zvicra që bëri surprizën e madhe duke eliminuar Francën kampione bote nga Europiani dhe favorite kryesore për të fituar trofeun. Pas 90 minutave të mbyllura me shifrat 3-3, skuadrat iu drejtuan shtesës e më pas penalltive ku gaboi vetëm Kylian Mbappe. Në çerekfinale Zvicra do përballet me Spanjën.  U kuptua që në fillim se Franca nuk do ta kishte të thjeshtë përballë helvetëve të Petkovic-it e pas 15 minutash, Zvicra zhbllokoi shifrat me Haris Seferovic. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë ndërsa në fillimin e së dytës, Zvicra fitoi një 11-metërsh me anë të Zuber që u akordua nga VAR, të cilën Ricardo Rodriguez e humbi me Lloris që bëri një super pritje.

Gol i sfumuar dhe gol i pësuar për Zvicrën që e pësoi nga Karim Benzema në minutën e 57-të. Dy minuta më vonë pas një aksioni model të Francës, Benzema shënoi sërish duke kaluar në epërsi gjelat.

Në të 75-ën, një supergol nga distanca i Pogbasë krijoi idenë se Franca arriti çerekfinalet, por Zvicra e Petkovic-it nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit në këtë sfidë dhe në 10 minutat e fundit ashtu siç bëri Kroacia ndaj Spanjës realizoi dy herë me Seferovic e Gavranovic duke e çuar ndeshjen në shtesë.

30 minutat e shtesës nuk prodhuan gjë dhe sfida shkoi te penalltitë, aty ku Zvicra i shënoi të gjitha e Mbappe gaboi penalltinë vendimtare duke nxjerrë jashtë francezët.