Bota

Zjarret dalin jashtë kontrollit në Francë dhe Spanjë, evakuohen mbi 80 mijë persona. Gjendje emergjence pranë Madridit

Franca dhe Spanja po përballen me një nga valët më të rënda të zjarreve të viteve të fundit, ndërsa mbi 80 mijë persona janë evakuuar nga zonat e rrezikuara.

Në Francë, autoritetet urdhëruan evakuimin e plotë të gadishullit turistik Cap Ferret, ndërsa në Spanjë është shpallur gjendja e emergjencës kombëtare për shkak të përhapjes së pakontrolluar të flakëve pranë Madridit.

Në rajonin francez të Gironde, zjarret që nisën të martën kanë përfshirë mbi 10 mijë hektarë sipërfaqe. Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, bëri të ditur se rreth 40 mijë persona janë evakuuar nga gadishulli Cap Ferret, ku qindra banorë dhe turistë u larguan me varka, ndërsa të tjerë u evakuuan me automjete.

Sipas autoriteteve lokale, deri tani janë shkatërruar 53 banesa dhe një kamp pushimi, ndërsa rreth 2 mijë shtëpi janë shpëtuar falë ndërhyrjes së zjarrfikësve. Zjarri është përhapur me shpejtësi të jashtëzakonshme, duke djegur deri në 1 mijë hektarë në orë në disa zona.

Një tjetër vatër e madhe është regjistruar në rajonin Landes, pranë qytetit Biscarrosse, ku janë evakuuar mbi 23 mijë persona nga banesat, kampingjet, një azil dhe një kamp veror. Deri më tani janë identifikuar 105 ndërtesa të shkatërruara ose të dëmtuara rëndë.

Ndërkohë, në Spanjë, qeveria shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare, pasi disa zjarre pranë Madridit dolën jashtë kontrollit. Flakët në Villa del Prado dhe San Martín de Valdeiglesias janë bashkuar, ndërsa më shumë se 19 mijë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në tre qytete në perëndim të kryeqytetit.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e cilësoi situatën “dramatike”, ndërsa presidentja e rajonit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, deklaroi se bëhet fjalë për “zjarrin më të rëndë në historinë e rajonit”.