Bota

“Euro 2024”, Gjermania thotë se do të kryejë kontrolle kufitare!

Gjermania do të kryejë kontrolle kufitare në të gjithë kufijtë e vendit gjatë Kampionatit Europian të Futbollit, “Euro 2024” në muajt qershor dhe korrik, siç bëri të ditur sot ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.

Për të përditshmen Rheinische Post, zyrtarja e lartë gjermane u shpreh se do të kryhen kontrolle në të gjithë kufijtë gjermanë gjatë kampionatit të futbollit.

Për të qenë në gjendje që të mos i lejojmë të futen brenda kriminelët e mundshëm të dhunshëm.

Ndër të tjera, ministrja Nancy Faeser u shpreh:

Kjo është e nevojshme për ta mbrojtur këtë organizim të madh, sa më mirë që të mundemi. Përqëndrimi i autoriteteve është te mbrojtja kundër ekstremistëve islamikë, si dhe ekstremistëve të tjerë, kundër huliganëve e kategorive të ndryshme. Po ashtu, duhet që të sigurojmë rrjetet kundër sulmeve kibernetike.

Komentet e Faeserit vijnë pak ditë pas një sulmi ndaj një salle koncertesh në Moskë, përgjegjësinë për të cilin e mori një grup i lidhur me Shtetin Islamik e që lufton për krijimin e një kalifati që bashkon pjesë të Iranit, Pakistanit e Afganistanit, si dhe Turkmenistanin, Taxhikistanin e Uzbekistanin. Më 22 mars, një komandë prej katër terroristësh hapi zjarr në Moskë e vrau 137 vetë. Mbi 180 u plagosën. Terroristët ishin shtetas taxhikë, tashmë të arrestuar nga autoritetet ruse.

Pas asaj që ndodhi në Moskë, Franca ngriti alarmin e sigurisë në nivelin më të lartë. Vendimin e mori Këshilli i Mbrojtjes, i thirrur nga presidenti Emmanuel Macron, pasi ISIS mori përsipër përgjegjësinë e atentatit. Niveli më i lartë i alarmit vendoset për periudhë të kufizuar kohore, lejon mobilizimin e jashtëzakonshëm të burimeve, si dhe shpërndarjen e informacionit që mund të mbrojë qytetarët në situatë krize.

Ndërkaq, vendimi gjerman për t’i kthyer kontrollet kufitare gjatë “Euro 2024”-ës pritej kohë më parë. Kjo është bërë një praktikë standarde për vendet në zonën e lëvizjes së lirë në Europë, e njohur si Zona Schengen, gjatë ngjarjeve të mëdha sportive dhe samiteve të rëndësishme.

Gjermania është duke kryer kontrolle kufitare në lindje, me Poloninë dhe në jug me Republikën e Çekisë, Austrinë e Zvicrën, për shkak të emigrantëve. Kampionati Europian ku është kualifikuar edhe Shqipëria. fillon më 14 qershor. Si organizatore, Gjermania luan ndeshjen e parë kundër Skocisë në Mynih. Finalja e Europianit do të zhvillohet në Berlin, më 14 korrik.