Music

Pandemia/Ja çfarë pritet të ndodhë me “Eurovision”!

Pak më shumë se tre muaj para finales, organizatorët e Konkursit të Këngës “Eurovision 2021”, i planifikuar në Roterdam më 18, 20 dhe 22 maj, e përjashtojnë idenë që gara e 65-të të mund të zhvillohet normalisht. Për këtë arsye, ata do t’i përqëndrojnë përpjekjet e tyre në një ngjarje që garanton distancimin shoqëror, duke mbajtur në tryezë mundësinë e ndryshimeve të masave në javët e ardhshme, të bazuar në evolucionin e pandemisë. Mbikëqyrësi ekzekutiv i konkursit, Martin Österdahl tha se:

Konkursi i Këngës “Eurovision” me siguri do të rikthehet në maj pavarësisht nga pandemia, por në rrethanat aktuale është fatkeqësisht e pamundur që ngjarja të zhvillohet në mënyrën siç jemi mësuar. Siguria, shëndeti dhe mbrojtja e të gjithë pjesëmarrësve në Konkursin e Këngës “Eurovision”, nga ekipet e punës te artistët, është përparësia jonë kryesore.

Organizatorët tashmë kanë përqëndruar gjithë përpjekjet e tyre tek skenari B. Sipas këtij skenari artistët do të performojnë në skenë, stafi do të jetë i plotë/thuajse i plotë, publiku do të lejohet të marrë pjesë deri në 80% duke ruajtur distancën fizike, ndërsa një pjesë e mediave do të jenë prezente në sallë dhe 1000 prej tyre do e ndjekin virtualisht eventin.

Megjithatë ky nuk është vendimi final, sepse në javët në vazhdim, në varësi edhe të situatës me pandeminë, do të vendoset përfundimisht se si do të mbahet “Eurovision Song Contest”.

Sipas skenarit më te keq, nuk do të ketë fare publik në sallë dhe të gjitha aktivitetet e festivalit do të mbahen virtualisht. Kujtojmë se këtë vit Shqipëria do të përfaqësohet nga Anxhela Peristeri me këngën “Karma”.