I ftuar sot në emisionin “Lancio” me Erma Micin dhe David Priftin ka qenë artisti Kevz. I lindur në Sarandë në vitin 1997 dhe i rritur në Tiranë, Kevz u lidh me muzikën që në moshë të vogël. Sot ai është pjesë e PINT & PressPlay dhe konsiderohet një nga emrat në rritje të skenës shqiptare të hip-hop-it.
Mes të tjerash, artisti zbuloi detaje edhe për projektin e tij më të ri në bashkëpunim me llunin “HERS”, ndërsa pranoi se fokusi i tij kryesor mbetet puna dhe krijimtaria.
I pyetur se si ndihet që sot është një nga artistët më premtues të zhanrit, Kevz u shpreh:
Të them të drejtën nuk e kam menduar shumë gjatë, jam shumë i fokusuar në punë dhe për albumin që do të nxjerrim shumë shpejt. E kam mendjen te klipiet më shumë sesa si dukem në sytë e njerëzve, por shpresoj që të dukem mirë.
Kur u pyet se si do ta përshkruante veten me pak fjalë, ai u përgjigj thjesht:
Kevz është një djalë nga Saranda, i rritur në Tiranë që merret me muzikë.
Kevz theksoi gjithashtu se muzika për të është shumë më tepër sesa një profesion.
Muzika, procesi i krijimtarisë së muzikës për mua është hobi përveçse se është edhe punë.
Duke folur për evolucionin e tij artistik, ai u shpreh se ndryshimi dhe zhvillimi janë thelbësorë për çdo muzikant.
Unë mendoj që një artist që nuk evoluon nuk është artist. Evoluimi mendoj që është gjëja më e mirë për muzikantët.