Design Travel

Gjithçka që duhet të dini për superjahtin ‘Malena’!

Jahtet gjigante prej kohësh janë quajtur “qiellgërvishtës lundrues”, por koncepti i ri novator nga studio “Rodriguez Design” e çon në një tjetër nivel këtë nofkë. I gjatë 110 metra, superjahti i quajtur Malena, është projektuar si një banesë shumëkatëshe me apartamente luksi, një superstrukturë me ballkone që shtrihen në të dyja anët e jahtit. I ndërtuar me çelik dhe alumin, mjeti lundrues do të ketë gjithashtu hapësira të mëdha të jashtme për të shijuar natyrën, në mes të detit.

Gjithashtu, jahti do të ketë edhe një platformë për not, për një akses më të lehtë në oqean. Projektuesi Josh Rodriguez thotë se është frymëzuar nga disa struktura arkitekturore për të zhvilluar jahtin Malena.

Ballkonet anësore i vendosëm për të krijuar idenë e jetës në një qiellgërvishtës superluksoz. Kudo që jahti do të ankorohet, qyteti do të ketë një pallat të ri.

Malena ka edhe disa “aksesorë” luksi në bord, si dy pishina përrallore, ndërsa në 11 dhoma mund të qëndrojnë deri në 24 të ftuar. Pjesa e sipërme u lejon këtyre të ftuarve që të darkojnë të gjithë bashkë, ndërsa vendi i parkimit të helikopterit e bën edhe më të arritshëm superjahtin. Ambienti i pronarit është i veçuar, për të siguruar privatësi maksimale, ndërsa xhakuzi dhe bari janë “aksesorë” që tashmë nuk i mungojnë asnjë jahti modern.

Sipas projektuesit, ‘Malena’ do të punojë me një motor hibrid me naftë dhe elektrik, për të arritur një shpejtësi prej 18 nyjesh detare, ose 33 km/orë. Sipas vlerësimeve të para, jahti do të kushtojë 350 milionë euro për t’u ndërtuar, ndërsa modeli i parë mendohet t’i dorëzohet blerësit në vitin 2025.

Ndërkaq, ju rikujtojmë se legjenda e Chicago Bulls, Michael Jordan, është pronar i një superjahti luksoz, të quajtur “Joy”, siç i ka hije një ish-basketbollisti miliarder. 58-vjeçari e bleu mjetin luksoz lundrues në vitin 2019 për rreth 80 milionë dollarë, ndërsa ka në pronësi të tij edhe një varkë peshkimi që vlen rreth 8 milionë dollarë. Nëse doni të zbuloni si duket jahti klikoni në këtë link.