Bota

Çfarë u zbulua në fund të oqeanit që befasoi shkencëtarët? Zbulojeni!

Një zbulim i rrallë në thellësitë e oqeanit ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve, pasi studiuesit hasën në një formacion që i ngjan një “rruge të verdhë”, në një nga zonat më pak të eksploruara të planetit. Zbulimi u bë në vitin 2022 nga anija kërkimore Nautilus, gjatë një ekspedite në veri të ishujve Havai, në zonën e Papahānaumokuākea Marine National Monument, një nga rezervatet më të mëdha detare në botë.

Pamjet e publikuara tregojnë një sipërfaqe që ngjan me një rrugë të shtruar me “tulla të verdha”, duke bërë që një prej studiuesve të shprehej me humor: “Është rruga drejt Atlantidës”. Formacioni ndodhet rreth 1,000 metra nën sipërfaqen e ujit dhe ndonëse në thellësi të madhe, krijon iluzionin e një terreni të thatë.

Sipas ekspertëve, kjo strukturë është në fakt një rrjedhë e fragmentuar e shkëmbit vullkanik të quajtur hialoklastit, i krijuar nga shpërthime me energji të lartë. Çarjet e veçanta në formë këndesh 90 gradë janë rezultat i stresit termik nga ciklet e përsëritura të ngrohjes dhe ftohjes gjatë aktivitetit vullkanik.

Një zbulim i pazakontë në Oqeanin Paqësor po sfidon mënyrën se si shkenca e ka kuptuar deri më sot formimin e ishujve dhe ndikimin e njeriut në mjedis. Në Fixhi, një ekip studiuesish ka identifikuar një ishull të vogël pranë Vanua Levu, i cili nuk është formuar nga procese natyrore si aktiviteti vullkanik apo depozitimi i rërës, por pothuajse tërësisht nga mbetje detare. Sipas kërkimeve, rreth 90% e sipërfaqes së këtij ishulli përbëhet nga miliona guaska molusqesh të grumbulluara ndër shekuj.

Studiuesit e përshkruajnë këtë fenomen si një “midden island”, që në përkthim nënkupton “ishull plehrash”. Sipas një studimi të publikuar në revistën Geoarchaeology, zona është përdorur për rreth 1200 vjet nga komunitete të lashta që shkonin aty për të përpunuar fruta deti. Ata hapnin molusqet për të marrë mishin dhe hidhnin guaskat në të njëjtin vend, duke krijuar gradualisht një masë të madhe kompakte.