Rajoni

Greqia vazhdon të digjet, flakët ende jashtë kontrollit në Rodos/Largohen turistët!

Erërat e forta të parashikuara për ditën e sotme pritet që të vështirësojnë betejën e zjarrfikësve për të lokalizuar një zjarr jashtë kontrolli në ishullin grek Rodos, ku rreth 30 mijë njerëz u detyruan të evakuohen.

Ishulli i Rodosit është një prej pikave më të njohura turistike në vendin fqinj, veçanërisht në mesin e pushuesve britanikë, gjermanë e francezë, shumë prej të cilëve tani po largohen me shpejtësi nga rruga e flakëve.

Ndërsa Greqia u godit nga një valë e gjatë e të nxehtit ekstrem, flakët po shkakojnë dëme prej një jave. Autoritetet kanë paralajmëruar se beteja për ta kontrolluar zjarrin në mes të sezonit turistik do të zgjasë disa ditë.

Zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve, Vassilis Vathrakoyiannis, tha se pritet që sot erërat të bëhen “më të forta”, duke favorizuar flakët.

Zyrtarët lokalë në Rodos njoftuan se 30 mijë persona të kërcënuar nga zjarret e egra, u zhvendosën në vende të sigurta. Këtu përfshihen mbi 2 mijë e 500 që u larguan me tragete nga plazhet. Me një popullsi prej mbi 100 mijë banorësh, vitin e kaluar Rodosi priti mbi 2.5 milion turistë.

Gjatë natës, zjarret zbritën në fshatin Laerma, duke djegur shtëpi e një kishë, ndërsa shumë hotele u dëmtuan nga flakët që kanë arritur në breg.

Turistët dhe disa vendas kaluan natën në palestra, shkolla e qendra konferencash në hotele të ishullit, teksa zjarrfikësit luftojnë me zjarret.

Eshtë situatë e paprecedentë për ishullin. Shumë banorë nxituan të shpëtojnë turistët.

Në Athinë, ministria e Jashtme njoftoi se ka ngritur një njësi për menaxhimin e krizave, për të lehtësuar evakuimin e shtetasve të huaj në Greqi, për shkak të zjarreve të vazhdueshme pyjore.

Një pjesë e madhe e ishullit të Rodosit ka qenë pa energji elektrike, ndërsa operatori i furnizimit, PPC ndërpreu punën e termocentralit në jug, për arsye sigurie. Më shumë se 200 zjarrfikës luftuan me zjarret gjatë natës. Nuk mungon mbështetja nga ajri.