Rajoni

Greva vazhdon, s’ka marrëveshje mes grevistëve dhe qeverisë së Kosovës

Rrahman Jasharaj, nga Këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka thënë se nuk është arritur asnjë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, për t’iu dhënë fund grevave. Në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ky projektligj, që parasheh rritje të pagave për mësimdhënësit, do të dalë në miratim së shpejti.

Më 13 shtator, Jasharaj ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.

“Mund të them se takimi ishte përmbajtësor, por për momentin nuk kemi asnjë ndryshim. Qeveria vazhdon të mbajë qëndrimin për deklaratat rreth pakos, ne vazhdojmë të jemi zë i sektorit publik me kërkesat tona”, ka thënë Jasharaj në një konferencë për media, pas takimit.

Ai ka thënë se beson që Kosova ka buxhet të mjaftueshëm për t’i përmbushur kërkesat e tyre.

Takimin e së martës, Jasharaj e ka konsideruar vetëm nisje të procesit të dialogut mes Këshillit të grevistëve dhe Qeverisë.

“Uroj që kryministri Kurti të mos i mbyllë dyert dhe të vazhdojmë me dialogun, mbase duke dëshiruar e uruar që gjendja të stabilizohet, besoj se kryeministri bashkë me stafin e tij do të diskutojnë pas takimit me ne, sepse tash është në dorën e tyre se çfarë do të ndodhë tutje”.

Më 3 shtator, Qeveria ka prezantuar një pako për përballje me inflacionin.

Në kuadër të saj, punëtorët e sektorit publik do të marrin nga 50 euro prej muajit shtator.