Celebrities Gossip Showbiz

I ndjeri Matthew Perry takonte vajza përmes aplikacionit Raya që i siguronin “substanca”, dalin në dritë detaje të reja!

Rreth një muaj më parë ndërroi jetë ylli i “Friends”, Matthew Perry. Raporti i tij i autopsisë zbuloi se aktori ndërroi jetë për shkak të efekteve akute të ketaminës. Së fundmi, një mik shumë i ngushtë i të ndjerit ka deklaruar në një intervistë për Daily Mail se lidhja e aktorit me lëndët narkotike nuk kishte përfunduar kurrë.

54-vjeçari i cili njihej për rolin në serialin “Friends” mori frymën e fundit teksa ndodhej në vaskën e nxehtë të shtëpisë së tij në tetor, pas një mbidoze me ketaminë. Edhe pse prej vitesh ai pretendonte se ishte pastruar tashmë nga substancat, rezultoi se i ndjeri nuk hoqi dorë kurrë nga abuzimi me substancat e ndaluara.

Mail Online, duke cituar një burim të afërt me aktorin e ndjerë, raportoi se aktori takonte vajza përmes aplikacionit Raya dhe u kërkonte atyre që ta furnizonin me Oxycontin, një qetësues i fuqishëm opioid, ndaj të cilit aktori ishte i varur. Burimi pohon se:

Ai takonte vajza në aplikacionet e njohjeve dhe u kërkonte që t’ia sillnin. Kishte një grup vajzash të moshës 21-25 vjeçe që i njihte përmes Raya-s. Kur takoheshin, ato i jepnin pilulat kryesisht Oxycontin. Gjithashtu, ai kishte një lloj “rrjeti” të të dashurave të tij të vjetra, të cilat i jepnin drogë ilegale. U thoshte vajzave se i duheshin ilaçet për të qetësuar dhimbjen. Në fund, nëse nuk arrinte që t’i bindte, do të ndahej me ta dhe do të kalonte në tjetrin.

Perry kishte deklaruar se shpenzoi afërsisht 9 milionë dollarë duke u përpjekur të përballonte varësinë e tij ndaj alkoolit. Dy vjet më parë ai ishte në gjendje të ripohonte se kishte lënë mënjanë varësinë e tij dhe se jeta e tij ishte më e shëndetshme. Rikujtojmë, se roli i Perryt në “Friends” e bëri atë një prej aktorëve më të njohur në botë. Seriali u transmetua nga viti 1994 deri më 2004, duke fituar çmimin Emmy më 2002 për serialin komik më të mirë.