Aktualitet Politikë

Ilir Meta zbulon emrin e ri: Ja si do të quhet LSI nga sot e tutje!

Ilir Meta falënderoi themeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa i ftoi të gjithë që nga partia e LSI-së të shkonin në partinë e lirisë, sovranitetit dhe referendumit.

Partia e Lirisë, ky do të jetë emri i ri i LSI-së.

Meta u shpreh se vetëm një rrugë ekziston për të larguar pushtetin aktual dhe bëhet fjalë për referendumin. Sipas tij vetëm ai mund të shpëtojë shqiptarët.

“Sot bashkë me popullin e 2 marsit, të shpallim non grata kleptokracinë, rilindjen mavi dhe atë pjesë të rilindjes blu që bën pazare,” – deklaroi ish-presidenti.

Gjatë fjalimit në Konventën Kombëtare të LSI-së, Meta bëri thirrje për të gjithë qytetarët të mos tradhtojnë as atë, as Kushtetutën dhe të mos e shesin votën.

“Tani ka vetëm një rrugë, referendumi! Vetëm referendumi është garancia se Shqipëria do të jetë e shqiptarëve. Nuk ka forcë në botë që t’i blejë 3 milionë shqiptarë. Mos harroni Atdheun, fëmijët tuaj. Fëmijët tanë mund të gjejnë ccdo gjë jashtë, por Atdheu është vetëm këtu. Prandaj ju ftoj në partinë e lirisë, sovranitetit, partinë e referendumit. Partia e Lirisë dhe e të gjithë shqiptarëve. Rroftë Shqipëria e lirë dhe demokratike. Rroftë Kosova shtet i pavarur”, tha sot Meta.

Pas paraqitjes edhe të dorëheqjes të Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi si dhe në kushtet ku të gjitha strukturat e tjera drejtuese janë me mandat të përfunduar, kërkohet krijimi i Komitetit Organizator, me këto detyra:

Komiteti Organizator, ngarkohet nga Konventa Kombëtare, për drejtimin e partisë dhe përfaqësimit të saj në të gjitha nivelet.

Komiteti Organizator do të drejtojë veprimtarinë e partisë për përgatitjen e Konventës Kombëtare, që do të mbahet brenda dy muajve.

Drejtuesi i Komitetit Organizator të jetë Ilir Meta dhe zëvendës Kryetar të jetë Agim Nesho.