Bota

India shënon rekord viktimash nga koronavirusi!

Në 24 orë, India regjistroi 3.689 viktima nga koronavirusi, shifra më e lartë e atyre që kanë humbur jetën nga koronavirusi në një ditë, në territorin indian. Dje, India u bë shteti i parë në botë që ka regjistruar mbi 400 mijë të infektuar me COVID në 24 orë.
Kryeministri indian Narendra Modi takoi sot Ministrin e Shëndetësisë për të analizuar krizën shëndetësore.

Spitalet po përballen me vështirësi pasi ka mungesë të shtretërve dhe oksigjenit mjekësor. Në rrjetet sociale u publikuan foto e video të njerëzve që i luten stafit mjekësor për ndihmë ndërsa krematoriumet janë të mbingarkuar. Gati 10 shtete indiane dhe territore vendosën forma izolimi ndonëse qeveria federale vazhdon të mos vendosë për mbyllje kombëtare.

Muajin e kaluar, kryeministri Modi tha se duhet të shmanget çdo lloj izolimi, i shqetësuar se mund të ketë ndikim shkatërrues në ekonomi. Vitin e kaluar, kufizimet nga vala e parë e pandemisë çuan në humbje të shumë vendeve të punës dhe rënie ekonomike në nivel rekord prej 24% në muajt prill-qershor 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës.

Në mesin e krizës shëndetësore, sot nisën të numërohen votat për zgjedhjet e zhvilluara në pesë shtete të Indisë në muajt mars e prill. Rezultati do të shihet si shenjë për mënyrën si ka prekur pandemia mbështetjen për Modin dhe partinë e tij hindu “BJP”.