Bota

Rrëshqitje masive dheu në Indi, tre të vdekur dhe shtatë të zhdukur! Kamerat kapin momentin dramatik

Të paktën tre persona kanë humbur jetën, shtatë të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe gjashtë janë plagosur pas një rrëshqitjeje masive dheu që goditi shtetin Kerala në jug të Indisë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Pamjet e regjistruara nga një kamerë sigurie tregojnë momentin kur një masë e madhe balte zbret me shpejtësi nga shpati, duke shkulur pemë, rrëzuar strukturat e përkohshme dhe duke mbuluar rrugët. Banorët shihen duke vrapuar të tmerruar për t’i shpëtuar rrjedhës së baltës, ndërsa në sfond dëgjohet një person që bërtet: “Vraponi shpejt, miqtë e mi!”.

Sipas autoriteteve, rrëshqitja e dheut ndodhi pranë Urës Meenakshi, në zonën Kalladi, ku po zhvillohen punime për ndërtimin e një tuneli rrugor që lidh distriktet Malappuram dhe Wayanad. Reshjet e rrëmbyeshme destabilizuan grumbujt e dheut në kantier, duke bërë që balta të përfshinte rrugët dhe zonat përreth.

Si pasojë e rrëshqitjes, ura, automjete dhe segmente të rrugës u mbuluan nga balta, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Në vendngjarje ndërhynë menjëherë zjarrfikësit, policia, ekipet lokale të shpëtimit dhe Forca Kombëtare e Reagimit ndaj Fatkeqësive (NDRF), të cilat vijojnë kërkimet për personat e zhdukur. Banorët vendas arritën të shpëtonin tre punëtorë që ndodheshin në kantier në momentin e ngjarjes.

Autoritetet kanë dërguar njësi shtesë të NDRF-së në zonë, ndërsa drejtuesit vendorë po monitorojnë situatën, pasi reshjet e dendura mund të shkaktojnë rrëshqitje të tjera dheu në ditët në vijim.