Forcat ruse janë tërhequr nga aeroporti i Gostomelit, në afërsi të kryeqytetit ukrainas, Kiev dhe që në ditët e para të luftës u kthye në arenë luftimesh të përgjakshme mes trupave të Kievit e Moskës. Lajmin e japin shërbimet britanike të Inteligjencës ushtarake, të cituar nga BBC.
Forcat ukrainase vazhdojnë të përparojnë ndërsa ato ruse janë në tërheqje, në rrethinat e Kievit.
Në orët e para të mëngjesit, sirenat e sulmeve ajrore ranë sërish në shumë zona të Ukrainës, përfshirë Kievin, krahas qyteteve të rëndësishme si Odesa, Lviv, Dnipropetrosk. Po ashtu në Kharkiv, Sumy, Rivne, Ternopil, Zhytomyr, Mykolaiv, Cherkasy, Ivano-Frankivsk, Zaporizhzhia, Chernivtsi, Volyn e Vinnytsia.
Në orët e fundit, trupat ukrainase çliruan disa fshatra përreth Chernihivit, në veri të Ukrainës, jo shumë larg kufirit me Bjellorusinë, mes tyre Shestovytsian.
Administrata Biden zotohet të punojë me aleatët për t’i kaluar Kievit tanke të prodhimit sovjetik, me qëllim që të forcohet mbrojtja e Ukrainës në Donbas. Lajmin e bën të ditur New York Time, që citon një zyrtar amerikan, duke theksuar se “është hera e parë prej fillimit të luftës më 24 shkurt, që Amerika përfshihet në ndihmën për të kaluar tanke te ukrainasit”.
Shtëpia e Bardhë nuk i komentoi akuzat e Moskës se “ukrainasit sulmuan depozitën e naftës në territorin rus Belgorod”, por sërish akuzon Putinin se “nisi këtë luftë”.
Këtu ka vetëm një agresor dhe ai është presidenti Vladimir Putin që i jep urdhëra ushtrisë ruse.
Një gjeneral i shërbimit të sigurisë ukrainase u arrestua për tradhëti ndërsa përpiqej të kalonte ilegalisht në Hungari, me dokumente false.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky akuzon Rusinë se në shkelje të të drejtave të njeriut, po përpiqet të rekrutojë ushtarë edhe në Krime e sipas tij, “kjo është një arsye më shumë që sanksionet të shtohen”. Ndërkohë, Moldavia ritheksoi qëndrimin për të mbetur vend neutral, duke zgjedhur të mos i bashkohet sanksioneve kundër Moskës.