Showbiz

Italia me Maneskin fiton Eurovision Song Contest 2021, Anxhela Peristeri e 21-ta!

Pas 31 vitesh, Italia fitoi Eurovision Song Contest 2021. Triumfin në Festivalin e Sanremos, grupi Maneskin e përsëriti me këngën “Zitti e buoni” në finalen e zhvilluar mbrëmë në Ahoy Arena të Rotterdam-it.

Anxhela Peristeri dhe “Karma” e saj nuk shkuan përtej vendit të 21-të, me vetëm 57 pikë, 22 nga juritë e vendeve pjesëmarrëse dhe 35 nga votat e publikut. Por për këngën me tekst të Olti Currit e muzikë të Kleidi Bahitit, këngëtarja ra në sy për performancën shpërthyese çka i siguroi Shqipërisë kualifikimin në finale mes 26 vendeve nga 39 që konkurruan gjithsej.

Në treshen e parë: Italia 524 pikë, Franca 499 e Zvicra 432.

Grupi rock Maneskin e siguroi fitoren falë votave të publikut që përmbysën klasifikimin e kryesuar nga Zvicra e Franca. Zvicrën që e mbylli garën e treta e përfaqësoi me “Tout l’Univers” Gjon’s Tears, emri i artit i kantautorit me origjinë shqiptare Gjon Muharremaj. Djali i një nëne nga Tirana dhe një babai nga Kosova, 22-vjeçari i lindur në Saanen të Bernës nuk është emër i panjohur për publikun shqiptar. Kur ishte 12-vjeç u bë pjesë e talent show-t “Albanians Got Talent” të transmetuar në Top Channel dhe u rendit i treti në finale.

Me organizimin e Eurovision Song Contest 2021, Europa dha një tjetër shembull të sfidës që po i bën pandemisë koronavirus që për shumë kohë çoi në ndalime të eventeve të këtyre përmasave.

Festivali Europian i Këngës u zhvillua në datat 18, 20 dhe 22 maj në Holandë dhe ishte spektakli klasik i Eurovision-it, edhe pse tre të parët u fokusuan te muzika pa shumë ndihmë në efektet skenike.

Tashmë, radha e Italisë për edicionin e vitit të ardhshëm. Për vendin fqinj, trofeun e kanë siguruar në të kaluarën Gigliola Cinquetti në 1964 e Toto Cutugno në 1990.