Bota

Italia paralajmëron Pfizerin: Rrespektoni zotimet për vaksinat!

Qeveria italiane i dërgoi një letër zyrtare paralajmëruese kompanisë farmaceutike Pfizer duke kërkuar që të respektojë zotimet kontraktuale për shpërndarjen e vaksinave anti-COVID. Letra rrit tensionin mes Bashkimit Europian dhe prodhuesit amerikan të vaksinës, i cili javën e kaluar njoftoi ngadalësim të përkohshëm të dërgesave në bllok. Pfizer ka deklaruar se do të kompensojë ngadalësimin e furnizimit, me ndryshimet në prodhim.

Por pakënaqësitë e Bashkimit Europian për vonesat prekin dhe AstraZeneca-n prodhuesin tjetër të vaksinës kundër koronavirusit. Shefi ekzekutiv i gjigantit farmaceutik AstraZeneca i bën thirrje qytetarëve europianë për mirëkuptim lidhur me vonesat në dërgesat e planifikuara. “Nuk është një angazhim që kemi për Europën. Ne thamë thjesht se do të bëjmë përpjekjet tona më të mëdha”, – deklaroi Pascal Soriot për gazetën italiane “La Reppublica”. Në gusht, Komisioni Europian firmosi kontratë për 400 milionë doza të vaksinës së zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit. Fillimisht, Brukseli ishte i kënaqur me firmën deri kur erdhi lajmi për bllokimin e furnizimeve, javën e kaluar.

Ndërkohë Kompania farmaceutike britanike AstraZeneca e fajësuar në Europë për vonesat në shpërndarjen e vaksinës së saj anti-COVID, u tërhoq nga një takim që do të organizojë sot BE-ja. AstraZeneca, e cila njoftoi dërgesa më të vogla sesa pritej në tremujorin e parë për shkak të “rënies së rendimentit”, tashmë është thirrur dy herë për t’u shpjeguar përpara përfaqësuesve të shteteve anëtare dhe Komisionit Europian. Arsyetimet u konsideruan “të pakënaqshme” dhe një takim tjetër u caktua për pasdite, në orën 18:30.