Celebrities Film & Tv

Johnny Depp tërheq çmimin e rëndësishëm, flet për bojkotin nga Hollivudi!

Aktori dhe producenti amerikan, Johnny Depp tërhoqi Çmimin e Nderit “Donostia” në Festivalin e 69-të Ndërkombëtar të Filmit që këtë vit zhvillohet në San Sebastian të Spanjës.

Depp është shfaqur në publik për herë të parë që kur ka nisur përplasjen ligjore në gjykata, me ish-bashkëshorten, aktoren amerikane Amber Heard, e cila e akuzon për një sërë abuzimesh, përfshirë dhunën e përsëritur fizike, gjatë kohës kur ishin çift.

Duke folur në një konferencë për shtyp, para ceremonisë së ndarjes së çmimeve, 58-vjeçari deklaroi se po kalonte një periudhë “shumë komplekse”. Gjithashtu e paraqiti veten si viktimë të së ashtuquajturës “kulturë mohimi”.

Kur dikush është i padrejtë me ju ose me dikë që e doni dhe besoni, ngrihuni! Mos qëndroni aty vetëm për arsyen se ata kanë nevojë për ju!

Të kritikuar për dhënien e vlerësimit, organizatorët e Festivalit të Filmit në San Sebastian që mbyllet pas dy ditësh, më 25 shtator, deklaruan se aktori amerikan nuk është arrestuar apo dënuar për dhunë ndaj grave. Ata u kritikuan nga kineastet femra e të tjera grupe që nuk e fshehën shqetësimin se me çmimin e rëndësishëm për aktorin, dërgohet mesazhi i gabuar sa i përket dhunës me bazë gjinore.

Çfarë mesazhi jepet kur burra të akuzuar për dhunë ndaj femrave duartrokiten e fotografohen në tapete të kuq, të rrethuar nga fansa? Duhet njohur kompleksiteti i çështjes!

“Donostia” iu akordua duke e cilësuar si një nga aktorët më të talentuar e të gjithanshëm në kinemanë bashkëkohore. Çmimi synon të nderojë arritjet jetësore të filmit.
Prej kohësh, Depp ka dalë kundër Hollivudit, duke e akuzuar “sistemin e yjeve” të kinemasë se e ka bojkotuar. Protagonisti i Piratëve të Karaibeve ka treguar se 5 vitet e fundit ishin të vështirë dhe se si burrë e aktor po kalon një situatë kaotike, por premton se gjithçka do të qartësohet.