Bota Tech

Ju njohim me rrjetin social kryesor të përdorur nga qytetarët rusë!

Telegram është aktualisht rrjeti social kryesor i përdorur nga qytetarët rusë pasi autoritetet atje ndaluan platforma të tjera të mëdha si Twitter, Facebook dhe Instagram. Aplikacioni u shkarkua rreth 4.4 milionë herë në vend që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Ilya Shepelin, një gazetare e cila punon për stacionin televiziv të pavarur “Rain” tha se:

Telegrami është i vetmi vend në Rusi ku njerëzit mund të shkëmbejnë lirisht mendime dhe informacione, megjithëse Kremlini ka punuar shumë për të depërtuar edhe në këtë platformë.

Rikujtojmë që më herët një gjykatë në Moskë ndaloi Facebook-un dhe Instagram-in në vend, duke e etiketuar kompaninë e saj mëmë Meta si “ekstremiste”. Së fundmi sipërmarrësit rusë të teknologjisë lançuan një aplikacion të ngjashëm me Instagram për ndarjen e fotografive. Shërbimi i ri, i njohur si Rossgram, është i disponueshëm për përdoruesit që nga data 28 mars dhe do të ofrojë edhe akses me pagesë për disa përmbajtje. Alexander Zobov, drejtor i marrëdhënieve me publikun të Rossgram tha se:

Partneri im Kirill Filimonov dhe grupi ynë i zhvilluesve ishin gati për këtë kthesë të ngjarjeve dhe vendosën të mos humbisnin mundësinë për të krijuar një analog rus të një rrjeti social popullor e të dashur nga bashkatdhetarët tanë.

Ndërkaq, ju shuajmë një kuriozitet. WhatsApp do të prezantojë së shpejti Communities, një risi për të menaxhuar më mirë grupet dhe për të pasur biseda më të dobishme. Ky opsion synon ndërlidhjen e grupeve me interesa të përbashkëta.