Aktualitet Rajoni

Keqtrajtimi i profesor Petraq Milos në kufi nga policë malazezë, reagon kryeministri Abazoviç!

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç flet për incidentin në kufi ku policë malazezë shihen duke keqtrajtuar profesor Petraq Milon, i cili ka mbajtur poste të larta në administratë edhe si këshilltar qeverie.  Abazoviç tha se videot i pa që nga data 15 janar e shtoi se u morën masa.

Ata që i tejkalojnë kompetencat e tyre, duhet të ndëshkohen siç duhet. Por, ka edhe një tjetër anë të medaljes, pasi në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një shkelje në komunikim. Nuk është se dikush e vuri në shënjestër dikë e thjesht e nxori nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikimit dhe radhët.

Ngjarja ndodhi në pikën kufitare Sukobinë, që lidh Malin e Zi me Shqipërinë. Sipas pamjeve, një polic e nxjerr me forcë nga makina Milon, i cili nuk bën rezistencë dhe keqtrajtohet.

Policia malazeze tha se pamjet e “keqtrajtimit të një shtetasi shqiptar”, të publikuara dje, i referohen një ngjarjeje të 15 janarit në pikën kufitare të Sukobinës. Policia shtoi se po heton punonjësit e saj në lidhje me incidentin.

Partia shqiptare në Mal të Zi, Alternativa Shqiptare, reagoi duke sqaruar se bëhet fjalë për shtetasin shqiptar, Petraq Milo, profesor universitar dhe ish-këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për financat publike e politikën monetare.

Abazoviç mendon se shpërndarja e videove në këtë kohë lidhet me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, që pritet të mbahen muajin e ardhshëm.

Teksa i afrohemi 19 marsit, prisni shumë më shumë video, foto, nacionalizëm, tensione, një atmosferë të keqe në raport me boshnjakët, shqiptarët, pakicat.

Incidenti nxiti reagime të forta në Mal të Zi, sidomos nga partitë shqiptare. Sot reagoi edhe kreu i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, duke pyetur se a duhet t’i vijë turp që ka pasaportë malazeze?!