Në kryeqytet, katër persona u vunë në pranga dhe një u shpall në kërkim. Në formën e një grupi kriminal, bashkëpunonin për hedhjen në treg të kartëmonedhave Euro, të dyshuara false. Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik Financiar në Policinë e Tiranës sekuestroi 11 pako me Euro të falsifikuara sipas dyshimeve paraprake.
Nga ky operacion u arrestuan në flagrancë katër të rinj, tre nga Tirana e një nga Shkodra ndërsa një 19 vjeçar nga Kruja u shpall në kërkim. Ata u kapën kur në një postë në kryeqytet, po tentonin të tërhiqnin 11 pakot që përmbanin kartëmonedha Euro, të dyshuara të falsifikuara. Dërgesat kryheshin nga një shtetas, i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të maskuar veprimtarinë dhe për të shpërndarë kartëmonedhat false.
Kartëmonedhat false që shiteshin përmes faqeve në TikTok do të hidheshin në qarkullim në Shkodër e në Malin e Zi.
Njoftimi i policisë:
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Wrong Delivery”, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të kartëmonedhave.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit A.B, 19 vjeç, banues në Shkodër; një i mitur 17 vjeç, banues në Tiranë; S.L, 26 vjeç, banues në Tiranë dhe E.A, 19 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A.P, 19 vjeç, banues në Krujë.
Shtetasit S.L., E.A. dhe i mituri u kapën në flagrancë në momentin që po tentonin të tërhiqnin në një postë në Tiranë, 11 pakot që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara. Këto dërgesa kryheshin nga shtetasi A.B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të maskuar veprimtarinë e shpërndarë kartëmonedhat e falsifikuara.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, A.P., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.