Bota Celebrities Tech

Kompania ruse krijon një bust të Elon Musk nga një ‘Tesla Model 3’, por ka një problem…

Marka e njohur luksoze ruse, Caviar ka shkrirë një ‘Tesla Model 3’ për të ndërtuar një bust të miliarderit amerikan, Elon Musk. Madje përveç bustit, prej tij është bërë edhe një iPhone. Megjithatë, skulpturat kanë pak ngjashmëri me njeriun më të pasur në botë.

Marka Caviar, zakonisht prodhon smartfonë luksozë. Në një deklaratë për shtyp, kompania tha se bëri 27 buste Musk si pjesë e një grupi me botim të kufizuar. Secili prej tyre vlen 2,700 dollarë, tha Caviar, megjithëse faqja e saj në web e rendit bustin me vlerën prej 3,220 dollarësh. Themeluesi i kompanisë Sergey Kitov, tha se:

Këto artikuj të rinj mishërojnë shpirtin e Elon Musk dhe për rrjedhojë, ata do t’u sjellin pronarëve të tyre suksesin dhe kreativitetin e këtij individi të shquar.

Materiali i bustit vjen nga metali i një ‘Tesla Model 3’ ngjyrë blu (i cili ka një çmim fillestar në Rusi prej rreth 58,000 dollarë), tha për Insider Shefi i Marketingut Dmitrey Stoliarov. Stoliarov tha se ngjashmëria e skulpturës me Musk ishte krijuar nga një artist i profilizuar për punë 3D i punësuar nga Caviar.  Kur u pyet për mospërputhjet midis dizajnit të bustit dhe pamjes së Musk, Stoliarov tha:

Artisti ynë nuk ndoqi qëllimin e krijimit të saktësisë fotografike. Ai krijoi një imazh të shpikësit në të cilin pasqyrohen të gjitha arritjet dhe shpikjet e tij.

Sa i përket numrit të busteve që janë shitur deri më tani, Stoliarov tha se shitjet sapo kishin filluar. Kompania po shet gjithashtu modele ‘iPhone 13 Pro’ dhe ‘iPhone 13 Max’ të bëra nga pjesët e Tesla, duke filluar nga 5,600 dollarë për copë. Modelet paraqesin një portret të Musk në këndin e sipërm djathtas, me një gdhendje të bërë nga bakri i një baterie Tesla.

Vetëm 99 telefona të tillë do të jenë të disponueshëm në mbarë botën, tha Caviar. Modelet dhe statujat e telefonit janë pjesë e koleksionit të saj ‘Visionaries’, të cilat përfshijnë gjithashtu bustet (më të njohura) të themeluesit të ‘Alibaba’, Jack Ma dhe manjatit të ndjerë të ‘Apple’, Steve Jobs, që shiten respektivisht me 1,990 dollarë dhe 1,680 dollarë. Këto buste janë prej bronzi të nikeluar. Stoliarov tha se:

Ne duam që klientët tanë të shikojnë bustin e Elon Musk ose Steve Jobs dhe iPhone-in e tyre të personalizuar dhe të frymëzohen nga shembulli i tyre çdo ditë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre.