Rajoni

Kosova akuza Serbisë se nuk ishte gati të firmoste propozimin e BE-së!

Një ditë pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel, Qeveria e Kosovës jep detaje nga diskutimet me palën serbe dhe ndërmjetësuesit. Në një deklaratë për media thuhet se u arrit dakordësi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë. Më tej, theksohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për nënshkrimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, pala serbe e refuzoi nënshkrimin. Në takimin trilateral, u dakordua që teksti i Propozimit të BE-së të mbetet i pandryshuar, edhe pse Serbia ende nuk është treguar e gatshme për ta nënshkruar. Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar.

Më tej, në reagimin e Prishtinës zyrtare vihet në dukje:

Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare.

Një ditë më parë në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut. Kryeministri Albin Kurti vuri në dukje se Kosova ka treguar gatishmëri për të nënshkruar planin europian, por fajësoi Serbinë se nuk ka qenë e gatshme. Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars, pas 18 ditësh.