Kremlini sot reagoi duke deklaruar se një sulm i ushtrisë ruse në Ukrainë, me një raketë të sapozhvilluar balistike hipersonike, kishte për qëllim ta paralajmëronte Perëndimin se Moska zyrtare do të përgjigjet ndaj vendimeve dhe veprimeve të tyre të “pakujdesshme” në mbështetje të Ukrainës. Zëdhënësi Dmitry Peskov i bëri këto komente një ditë pasi presidenti Vladimir Putin tha se Rusia përdori raketën e re Oreshnik në një sulm ndaj një objekti ushtarak të Ukrainës.
Mesazhi kryesor është se Rusia do të përgjigjet ndaj vendimeve dhe veprimeve të pamatura të vendeve perëndimore që prodhojnë raketa dhe e furnizojnë Ukrainën me to e më pas marrin pjesë në sulme ndaj territorit rus, iu tha gazetarëve Peskov.
Pala ruse i ka dëshmuar qartë aftësitë e saj, si dhe linjat e veprimeve të mëtejshme hakmarrëse, në rast se shqetësimet tona nuk merren parasysh, janë shpalosur mjaft qartë.
Peskov vuri në dukje se Rusia nuk ishte e detyruar t’i paralajmëronte Shtetet e Bashkuara për këtë sulm por gjithsesi i njoftoi ato 30 minuta para lëshimit të raketës.
Putini mbetet i hapur për dialog.
Një ditë më parë, shefi i Kremlinit, Putin u shpreh se përdorimi i armës së re ishte përgjigje ndaj vendimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për sulme thellë brenda Rusisë.
Në kushtet e luftimeve, një nga sistemet më të reja ruse me rreze të mesme veprimi është testuar, vuri në dukje Putin, duke shtuar se ajo ishte raketë hipersonike, e cila mund të mbartë koka bërthamore. Më herët gjatë ditës së djeshme, Kievi deklaroi se Rusia ka përdorur raketë balistike ndërkontinentale gjatë një sulmi masiv me raketa në Dnipropetrovsk.
Raketat balistike ndërkontinentale janë të prodhuara me qëllimin që të kryejnë sulme bërthamore nga distanca të largëta. Të tilla armë nuk janë përdorur më herët në luftën që Rusia nisi kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.