Art & Kulturë Tech

Krijimtaria, jo më ekskluzivitet i trurit të njeriut/Rasti “Beethoven” e tregon!

Algoritmet janë pjesë e jetës sonë të përditshme. Nga lëvizja me automjet, në punë e për të tjera, pa inteligjencë artificiale, njeriu nuk bën dot më shumë gjëra. Në këtë drejtim, të paktën krijimtaria dukej sikur ishte një ekskluzivitet i trurit të njeriut, por po shtohen shenjat se edhe ky bastion po bie.

Pasi kompjuterat i përfunduan deri në fund kompozimet e Gustav Mahler-it dhe Franz Schubert-it, i erdhi radha Ludwig van Beethoven-it. Kur kompozitori ndërroi jetë në vitin 1827, la të papërfunduar simfoninë nr.10. Nga kjo vepër kanë mbetur skica me dorë, pjesërisht fragmente të papërpunuara.  Në 250-vjetorin e lindjes së Beethoven-it, me ndihmën e inteligjencës artificiale, sot prezantohet vepra e tij, në kuadër të Festës së Beethoven-it, në Bon të Gjermanisë. Ishte kompania “Telekom”, me seli po në Bon që ngriti një ekip ekspertësh. Kompozitorë, studiues e informaticienë u përpoqën të analizonin stilin e kompozitorit gjeni e të mbaronin “të papërfunduarën”.

Krijohet kompozimi i ri artificial:

Inteligjenca artificiale “u furnizua” me skica e shënime të Beethoven-it, si edhe partitura të kompozitorëve të kohës. Muzika bazohet në njësi të caktuara si gjuha, ndaj duhej që fillimisht inteligjenca artificiale “të mësonte”. Simfonitë, sonatat në piano, kuartetet në violinë, rregullisht iu ofruan inteligjencës artificiale, për “ta trajnuar”. Ashtu si me trurin e njeriut që ka rrjetin e neuroneve, kompjuteri është në gjendje të krijojë vetë lidhje të reja. Rezultatet që përshtateshin më mirë me njëra-tjetrën u rifutën në sistem, duke iu dhënë nota të reja.

Për studiuesit, bashkëpunime të tilla janë mjaft interesante, sepse japin të dhëna mbi mënyrën si makineritë mund të mbështesin njeriun ose të imitojnë kapacitetin krijues. Në këtë rast, ekspertët përdorën disa module të të ashtuquajturit  Natural Language Processing, që janë frymëzuar nga përpunimi natyror i gjuhës.