Për kryeministrin Rama do te ishte “gabim i madh nëse Maqedonia e Veriut nuk pranon propozimin e presidentit francez, Emmanuel Macron lidhur me zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë”. Në një intervistë për televizionin “Kanal 5” në Shkup, Rama apelon që drejtuesit e Maqedonisë së Veriut të pranojnë propozimin që i hap rrugë procesit të negociatave edhe për Tiranën krahas Shkupit.
E kam ndjekur në vijimësi të gjithë punën e madhe që është bërë, për t’i dhënë zgjidhje shqetësimeve të Maqedonisë së Veriut e mund t’ju them që presidenti Macron ka ushtruar të gjithë ndikimin e tij, duke punuar 48 orë pa pushim, natë e ditë. Falë marrëdhënieve të mira me të, por edhe falë Bujar Osmanit, i cili ishte i jashtëzakonshëm për durimin, qëndresën e kokëfortësinë, propozimi i ri, që është dhe përfundimtari për ju që ta kuptoni, ka dalë. Unë besoj fort që ka ardhur koha e duhur dhe është absolutisht një ide e mirë ta zbatoni dhe të hapni këtë derë.
Nuk kam hyrë në “martesën e konfliktit” nëse mund ta quaj të tillë, por mënyra si bullgarët e trajtuan atë ishte një turp. Por, në të njëjtën kohë mund t’ju them se ndodhi çfarë ndodhi në sensin që Bullgaria është anëtare e BE-së, BE-ja ka një mënyrë të adresimit të gjërave që është shndërruar në një lloj pengmarrje të vendeve për interesin e një vendi apo të një tjetri dhe gjithashtu fryma e zgjerimit është shtrembëruar disi. Pra, kjo është e gjithë situata. Edhe njëherë unë kurrë nuk do guxoja të dilja publikisht dhe të thoja atë që i thashë Dimitar Kovaçevskit. Më përpara, i thashë atij se kjo është një rrugë që nuk të çon asgjëkundi, gjatë një diskutimi që zhvilluam në kthim nga Brukseli dhe i thashë që tani është në rregull.
Rama sqaroi se nuk po i kërkon homologut të Maqedonisë së Veriut të pranojnë këtë propozim, se Shqipëria do të përballet me vështirësi.
Tani, Shqipëria e ka kapërcyer pikën ku mund të ecë vetëm dhe sigurisht ne do të kërkojmë të ecim të ndarë, nëse Maqedonia e Veriut nuk do e pranojë, por po them do e pranoj sepse nuk do ketë një propozim tjetër, është përfundimtari dhe ju nuk keni pse të rrini edhe 17 vite të tjera përballë asaj dere. Ajo derë duhet të hapet dhe në një farë mënyre çdo gjë do të diskutohet, çdo pikë do kalojë në debat, çdo pyetje do marrë përgjigje në dialogun midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, kështu që hapeni këtë derë, hapeni tani!
Instikti dhe mendimi im modest më thotë që do ishte një gabim i madh mos ta pranoni. Do të ishte një gabim i madh sepse vendi mund të mbetet shumë mbrapa dhe askush nuk do ketë vullnetin të kthehet prapë dhe imagjinoni të mblidhni të gjitha vendet bashkë, prandaj mos e bëni, thjesht mos e bëni, sigurisht 100%. Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë aspekt, por ndërkohë më duhet t’ju them se në këtë situatë, liderët e BE-së nuk mund të bëjnë më shumë. Eshtë një mekanizëm në vetvete që ka nevojë të ndryshojë. Ata kishin ngelur në kurth, ishin strucët e Bullgarisë si ne, por sigurisht për ne ishte një eksperiencë e dhimbshme të ishe peng.
Kryeministri Rama vuri në dukje se e respekton Bullgarinë dhe popullin bullgar, por shprehu mendimin se “çështja me Maqedoninë e Veriut nuk duhet të jetë pjesë e rrugës drejt BE-së”.