Aktualitet Rajoni

Kryeministri Rama thirrje presidentit Vuçiç për situatën në veri të Kosovës!

Kryeministri Edi Rama i bën thirrje autoriteteve në Beograd, Presidentit të Serbisë, Vuçiç, që me asnjë lloj justifikimi e alibie, të mos ushqejnë grupe të caktuara në veriun e Kosovës, që për arsyen e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje të vlefshme. Në konferencën për shtyp në Tiranë me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, Rama u ndal te situata në veriun e Kosovës, ku nga dje pati tensione pasi sot do të hynte në fuqi vendimi për zbatimin e reciprocitetit për dokumentet e identifikimit dhe targat. Serbët bllokuan rrugët në veri, duke mos lejuar lëvizjet për në pikëkalimet e Jarinjës e Bërnjakut me Serbinë.

Me kërkesë të ndërkombëtarëve, qeveria Kurti ra dakord të shtyjë me një muaj, deri më 1 shtator, hyrjen në fuqi të vendimeve të datës 29 qershor 2022, në këmbim të lirimit të rrugëve, ku dhe rreth mesdite filloi heqja e barrikadave nga serbët. Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se “marrëveshja duhet të zbatohet edhe për t’i dhënë besueshmëri dialogut mes Serbisë e Kosovës”.

Kemi folur me kryeministrin Sanchez për Kosovën. Dihet që Spanja ka në pozicion të ndryshëm dhe tradicionalisht të palëvizshëm për arsye që lidhen me vetë Spanjën, por që nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj diskriminimi apo paragjykimi ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe të drejtës së tyre. Sidoqoftë kemi diskutuar në kuadrin e një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim tërësisht të paarsyeshëm, pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial, që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit dhe marrëveshjet e dakordësuara me palën tjetër janë për t’u zbatuar edhe jo për t’u diskutuar.

Po ashtu, kryeministri Rama përshëndeti shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të vendimeve për hyrjen në fuqi të targave e dokumenteve për shtetasit serbë që hyjnë apo qarkullojnë në Kosovë, gjë që u kërkua edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.