Rajoni

Ende të bllokuara rrugët në veri të Kosovës!

Edhe pse qeveria e Kosovës shtyu me një muaj zbatimin e vendimeve të reciprocitetit për dokumentet e identifikimit dhe targat e automjeteve, vazhdon bllokimi i rrugëve në veri. Këtë mëngjes, barrikadat e vendosura nga serbët janë aty, duke pamundësuar lëvizjet për në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak.

Për Radion Evropa e Lirë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, deklaroi:

Gjendja nuk ka ndryshuar. Situata është e qetë, nuk ka ndodhur gjë. Barrikadat ende janë aty, por të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë ditës, pas vendimit për shtyrjen.

Aktualisht, në Mitrovicën e Veriut, situata përshkruhet “e qetë”. Në rrugët e këtij qyteti shihen mesazhe me mbishkrimet: “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe!”.

Një ditë më parë, serbët vendosën në rrugë kamionë e të tjera mjete të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat e dokumentet serbe.

Tensionet u rritën ndërsa sot duhej të zbatohej vendimi që të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë, të pajisen me një dokument të përkohshëm, duke zëvendësuar ato të identifikimit personal. Po sot, për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, duhej të fillonte regjistrimi me të Kosovës, RKS.

Tashmë, kjo shtyhet për më 1 shtator, pasi qeveria u zotua për shtyrjen me një muaj, nëse serbët largojnë barrikadat e vendosura. Ndërkaq, në mesnatë u lëshuan dhe dokumentet e para për hyrje-daljet.

Beogradi kundërshton masat dhe akuzon Prishtinën zyrtare për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës. Në orët e vona të mbrëmjes, presidenti Aleksander Vuçiç tha se iu lut përfaqësuesve ndërkombëtarë, të ndikojnë mbi Prishtinën që të shtyjë zbatimin e vendimeve e t’u hapet mundësia bisedimeve.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 e që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh, por zbatimi i tyre ende përbën sfidë. Serbia e mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që është njohur nga vendet kryesore perëndimore.