Rajoni

Kurti: Bojkoti i zgjedhjeve në veri u imponua nga kërcënimet e Beogradit!

Pjesëmarrjen mjaft të ulët në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës ku serbët janë shumicë, kryeministri Albin Kurti ia atribuon atmosferës “së frikësimit e shantazhit”. Në Facebook shkruan:

Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajën dhe qetësinë.

Në katër komunat e veriut të Kosovës ku dje u zhvilluan zgjedhjet e jashtëzakonshme, pushteti do të ndahet mes dy partive shqiptare pas bojkotit masiv të serbëve. Kandidatët e Vetëvendosjes fituan në Leposaviç e në Mitrovicën e Veriut, me respektivisht 100 e 519 vota në total. Ata janë Lulzim Hetemi e Erden Atiq.

Në Zubin Potok e Zveçan u shpallën fitues kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, Izmir Zeqiri me 196 vota e Ilir Peci me 114. Në Zveçan, vetëm një kandidate ishte serbe. 1 mijë e 567 qytetarë apo 3.47% e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre. Megjithë këtë pjesëmarrje kaq të ulët, procesi i zgjedhjeve cilësohet “legjitim”.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë bëri thirrje për bojkotimin e procesit zgjedhor. Prej 2013-ës, vit kur është formuar, Lista Serbe ka marrë mbi 90% të votave nga komuniteti serb, në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.

Vazhdimisht, vëzhgues ndërkombëtarë konstatuan se votuesve u është bërë presion nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie. Përfaqësuesit e Listës Serbe deklaruan se populli serb në Kosovë “kurrë nuk do të lejojë” që komunat me shumicë serbe në veri, të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2% të votave”.

Por, Kurti premtoi mbështetjen e ekzekutivit për të gjithë kryetarët dhe anëtarët e rinj të këshillave komunalë.

Ata duhet të punojnë me përkushtim e të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë.

Kryetarët e rinj të katër komunave veriore thanë se sfida e parë është hyrja në zyrat e komunave. Kjo, pasi shumë prej tyre gjenden në të njëjtat mjedise me institucionet e përkohshme, që punojnë sipas sistemit serb.