Situata në veri të Kosovës, kryeministri Albin Kurti takoi komandantin e forcave paqeruajtëse të NATO-s, (KFOR) Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark. Zyra e Kurtit njofton:
Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë. U fol lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cënojnë rëndë sigurinë në vend dhe u theksua se do të vazhdojë bashkëpunimi ndërinstitucional.
Disa barrikada janë ngritur nga data 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç. Ai akuzohet se organizoi “sulmin terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Autoritetet në Kosovë shprehen se kanë kapacitete për largimin e barrikadave në veri, por i dhanë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që të bindë serbët t’i largojnë vetë ato.
Në takimin e sotëm morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, si dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në Twitter, KFOR shkruan:
Sot, komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia u takua me Albin Kurtin dhe Lars-Gunnar Wigermark-un, për të diskutuar situatën e sigurisë në Kosovë.
Misioni i NATO-s në Kosovë po heton atë që e quajti “incident jodirekt zjarri”, kur dje u raportua për të shtëna pranë një patrulle të tij në Zubin Potok, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri. Pasi e konfirmoi ngjarjen një natë më parë, sot KFOR-i ritheksoi se nuk pati të lënduar ose dëme materiale. Ngjarja përfshiu persona të panjohur, të armatosur në zonën e Zubin Potokut. Nuk ka të lënduar apo dëme materiale dhe po punojmë për t’i vërtetuar të gjitha faktet.
Mediat serbe raportuan se “rreth orës 19:45 të 25 dhjetorit u dëgjuan shkëmbime zjarri në Zubin Potok.
Të shtënat ndodhën pasi Policia e Kosovës kërkoi të hiqte njërën nga barrikadat.
Por, Policia e Kosovës i hodhi poshtë si të pavërteta këto raportime të mediave serbe. KFOR-i bën thirrje që të gjitha palët e përfshira, “të shmangin retorikën apo veprimet që mund të shkaktojnë tensione e ta përshkallëzojnë situatën”.
Mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë të përmbushim mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Komandanti i misionit të KFOR-it vazhdon të përkrahë dialogun për të gjetur një marrëveshje për zbutjen e tensioneve në veri. Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë të përfshirët në këtë proces.