Celebrities Music Showbiz

La Fazani vjen me “Hajde me shuplakë”, një këngë parodi dhe satirë me në fokus tematika të ndryshme social – politike!

Kantautorin Arbër Salihu, apo siç njihet me emrin e tij artistik La Fazani, e kemi pasur në një intervistë Skype për “Wake Up” nga Kosova në muajin shkurt, kur ai sapo kishte publikuar këngën e tij të parë solo “Jupiteri”, një këngë intime dashurie. Përgjatë intervistës Arbri na tregoi se po punon fort për këngë të reja dhe së fundmi ka sjellë projektin muzikor “Hajde me shuplakë”.

Një këngë parodi dhe satirë të cilën ai e ka shkruar 3 vite më parë, ku trajton tematika të ndryshme social – politike kryesisht të Kosovës. “Hajde me shuplakë” është publikuar me 19 maj dhe deri më tani është pritur shumë mirë pasi numëron mbi 20 mijë shikime. Prej një jave kjo këngë është bërë pjesë e “The Top List”, duke u renditur në vendin e 10-të të klasifikimit.

Një këngë parodi dhe satirë që ka në fokus tematika të ndryshme social – politike kryesisht të Kosovës. Çfarë ke dashur të sjellësh konkretisht në vemendje?

Këtë këngë e kam shkruajtur para tre vitesh kur kam qenë duke jetuar në Vietnam. Kur e mora vendimin për të ardhur në Kosovë, më duhej të shkruaja një këngë për realitetin në Kosovë. Kjo ishte për t’ja bërë vetes më të lehtë atë tranzicion. Prej kohësh kam dashur të shkruaj një satirë për realitetin kosovar që ka ulje e ngritje. Jeta në Shqiptari, në Ballkan ka shumë padrejtësi dhe e kemi si tendencë që ‘hajde se bëhet mirë’. “Hajde me shuplakë” është dhe një këngë e vjetër dasmash. Por ka kuptimin që do bëhet mirë.

Ti vetë sa i ke ndjekur mbrëmjet e ndërrimit të viteve në ekran apo në kaseta?

Edhe klipi e bën një ngacmim, por thotë dhe respektet e veta për kasetat që kanë dale në vitet ’90 dhe fillimin e viteve 2000. Të gjithë shqiptarët kanë nga ato kaseta. Në ato kohë kemi senë nën sundim dhe ato kaseta kanë qenë një mënyrë për t’u bërë bashkë. Edhe estetikisht ka qenë mjaft interesante për ta pare atë lloj arti që bëhej në atë kohë.

Përveç mesazheve të rëndësishme, aktuale dhe një klip i realizuar me shumë fantazi. Na trego pak lidhur me xhirimet, konceptimin e klipit, ekipin?

Një ekip bazë kemi qenë unë, e dashura ime dhe bashkë-regjisori Ilir Hasanaj. Ne të tre kemi qenë boshti i klipit. Idenë për t’i parodizuar këto kaseta të Vitit të Ri e kam prej kohësh, por e kemi zhvilluar atë ide bashkë dhe pastaj kemi mbledhur një ekip më të madh. Në këtë rast  kaluam klipin e “Jupiterit” ku ishim vetëm dy persona. Kemi qenë ekip më i madh, kemi pasur kostumografë, koreografë, aktorë. Kjo ka qenë një punë më tamam filmike.

Nëse ndalemi pak në backstage-t e këtij klipi besojmë se ka pasur dhe situata argëtuese. Çfarë do na veçoje ndonjë pjesë që iu është dashur të bëni disa dubla?

Kemi pasur dy ditë xhirime, por sidomos xhirimet e kasetave të Vitit të Ri kanë qenë shumë ‘fun’. Kam thirrur shoqërinë, shumë prej tyre janë fytyra publiku. Dhe i gjithë koncepti është për të parodizuar lëvizjet, çdo gjë që bëhej atëherë në vitet ’90. Një shok i joni që ka qenë aty e dinte shumë mire koreografinë me shamia. Në përgjithësi ka qenë shumë qejf dhe kemi duke ‘vdekur’ së qeshuri gjatë xhirimeve.

Në këtë këngë ke dorë thuajse në gjithçka. Pas kaq vitesh në muzikë, kërkon ta marrësh vetë “drejtimin e timonit”?

Nuk di çfarë të them. Ja kam marrë dorën shumë aspekteve të produksionit, muzikën po e bëj të gjithën vetë, kompozimin, tekstin. Edhe videova ja kam marrë dorën kohët e fundit. I kam bërë të gjitha vetë pa pasur ndonjë buxhet të madh për t’i realizuar gjërat. Kushton shumë. Përveç të tjerave po fitoj goxha kënaqësi duke e bërë këtë. Po krijon stilin tim, po krijon identitetin tim.

Çfarë komentesh ke marrë lidhur me këngën “Hajde me shuplakë” e cila duket se do shndërrohet në hit të verës?

Në përgjithësi që prej kur kam filluar e bëj këngë dhe videoklipe, asnjëherë nuk kam marrë kaq shumë komente. Është një këngë që shumë njerëz e kanë gjetur veten. Edhe teksti flet shumë për realitetin kosovar.

Prisje ti që të kishte një impakt të tillë brenda një kohe të shkurtër, pasi aktualisht numëron mbi 20 mijë shikime në YouTube, si dhe është votuar duke u renditur në vendin e 10-të në “The Top List”?

Po përpiqem mos të fokusohem shumë tek kjo. Po fokusohem për të sjellë projekte të reja, videoklipe. Jam shumë i lumtur, por nuk është synimi im kryesor të shoh se sa klikime marr. Synimi im kryesor është që të sjell diçka që nuk është në tregun muzikor shqiptar dhe që të mos ndalem së prodhuari.

Arbër në projektet e tua ke një suport, mbështetje të madhe nga e dashura jote Likana. Si është të punoni bashkë, të ndani bashkë idetë?

Ma ka bërë punën më të lehtë. Është me mua në çdo hap, në karrierë ose edhe në nivel personal. Ka një sy vizual shumë të zhvilluar dhe është shumë qejf ta kesh në krah.

Përgjatë këtyre ditëve ke qenë në Dhermi për të xhiruar këngën tjetër. Na trego pak më shumë, çfarë do presim tani dhe kur?

Shpresoj ta publikoj në fillim të korrikut. Do të jetë një këngë dashurie, pak më e thjeshtë se “Hajde me shuplakë”.

Nëse edhe juve ju pëlqen kjo këngë, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e klasifikimit.