Sport

Lionel Messi i jep lamtumirën Barcelona-s?!

Lionel Messi dhe Barcelona, zyrtarisht do të ndërpresin bashkëpunimin kontraktual ditën e sotme. Marrëdhënia më shumë se dy dekada me klubin është në prag të përfundimit pasi Messi ende nuk ka rënë dakord për një kontratë të re me gjigandët katalanas.

Zyrtarisht një lojtar i Barce-s që nga 8 janari 2001 do të thotë se Messi ka qenë aty për 7478 ditë. Ylli argjentinas është aktualisht me kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Amerikës dhe ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij. Kontrata e 34-vjeçarit skadon sot dhe nga dita e nesërme do të jetë një lojtar i lirë.

Blaugranasit ka kohë që po tentojnë të bindin gjashtë herë fituesin e Topit të Artë që të vazhdojë kontratën, por ende nuk ka asnjë lëvizje. Në fakt, Presidenti i klubit, Joan Laporta pranoi publikisht se ata nuk mund të përballojnë pagat aktuale të Messit. Klubi në vend të kësaj është përpjekur ta kompensojë atë duke siguruar një marrëdhënie afatgjatë me lojtarin ku ai do të shpërblehet nga klubi edhe pas pensionit të tij në vitet që vijnë.

Pas orës 00:00, njëri ndër lojtarët më të mirë në historinë e futbollit, do të jetë i lirë të kalojë te çdo skuadër. Vlera aktuale e tij në treg sipas “Transfermarkt” është 80 milionë euro, por nëse do ishte nën kontratë me Barcelonën, vlera e tij padyshim se do të kalonte mbi 100 milionë euro. Në fakt, vetë Messi nuk u ka dhënë asnjë siguri tifozëve për të ardhmen. Deklarata e fundit mbi transferimin ishte në dhjetor të vitit të kaluar kur ai tha se nuk dëshiron të flasë për të ardhmen e tij deri në fund të sezonit.

Rikujtojmë, se sulmuesi i Austrisë, Marko Arnautović, ashtu sikurse shumë tifozë dhe lojtarë tjerë mendon se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk janë njerëz. Legjenda e futbollit, ka barazuar rekordin e Pele për numrin e golave të shënuar me vetëm një ekip.

Rikujtojmë gjithashtu se legjenda e futbollit, Diego Armando Maradona, i cili u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare, e pikëlloi shumë Messi-n. Ai u përcoll me homazhe të mëdha, ku edhe klubi i futbollit “Barcelona” e nderoi legjendën e humbur.

Para fillimit të seancës stërvitore, lojtarët dhe stafi teknik formuan së bashku një rreth dhe mbajtën një minutë heshtje për Maradona-n, ndërsa reagimi i Messi-t ishte ai që ra më shumë në sy.