Aktualitet

Mbi 1 m borë në Qafë Thore-Theth/Rrëshqitje dherash te Currilat në Durrës!

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën ditur se në aksin Qafë Thore-Theth, në zonën e tuneleve u punua me mjete e punëtorë për ta bërë të aksesueshëm, teksa dendësia e dëborës është mbi 1 metër.

Gjithashtu, ARRSH apelon që drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, të pajisen me goma dimërore e zinxhirë, të ulin shpejtësinë, si edhe të respektojnë sinjalistikën.

Krahas problematikave në Shkodër e Lezhë, ku janë përmbytur 1 mijë e 750 ha tokë, reshjet intensive të shiut rikthyen rrëshqitjet e dherave në Kodrën e Currilave në Durrës. Po punohet për zhbllokimin e këtij aksi dhe kthimin në normalitet të lëvizjes. Dherat kanë mbuluar një pjesë të rrugës, duke shkaktuar edhe trafik për automjetet në atë aks. Gjithashtu, dherat dëmtuan murin e një prej ndërtesave që ndodhet në anën e kodrës.

Në fshatin Kutë të Mallakastrës ka ndërprerje të energjisë elektrike pas reshjeve të dendura të shiut. Situata në territorin e Qarkut Fier aktualisht është e qetë dhe nga struktura vendore të MC nuk ka raportime për situata problematike. Gjatë natës pati reshje shiu me intensitet të ulët, deri mesatar, por pa shkaktuar kufizime në lëvizje apo akses në marrjen e shërbimeve.

Furnizimi me ujë të pijshëm nuk ka probleme. Akset  rurale dhe kombëtare kalohen normalisht. Hidrovoret janë në gatishmëri të plotë pune. Në lumenjtë Vjosa, Seman e Shkumbin, niveli i ujit është brenda shtratit e në kuota normale. Niveli i Vjosës në pikëmatjen e urës së Mifolit është 4 m.

Në Qarkun Korçë, gjatë natës pati reshje shiu dhe dëbore me intensitet mesatar. Reshjet kanë qenë në formë dëbore në kuotën +1 mijë e 300 metra. Rruga e Dardhës nga km 9 deri në km 12, trashësia deri 10 cm. Në akset rrugore nacionale e turistike qarkullimi i mjeteve bëhet pa probleme. Rekomandohet përdorimi i gomave dimërore gjatë kësaj periudhe. Kontraktorët janë në gatishmëri për mirëmbajtjen e rrugëve.